Lahuta e ruajtur në Muzeun e Artit Mesjetar, dëshmi e artit të gdhendjes
Në ciklin “Origjina dhe artizanati”, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar na njeh me trashëgiminë kulturore, që ka përcjellë ndër breza e trashëguar punën e dorës.
Objekti i radhës, pjesë e fondit të MKAM është lahuta. Kjo vegël muzikore zinte një vend shumë të rëndësishëm në jetën e përditshme. Me lahutë, malësorët iu këndonin heronjve dhe legjendave. Lahuta e ruajtur ne MKAM është e gjitha e gdhendur me mjeshtëri prej drurit dhe e zbukuruar me motive lineare të përsëritura.
Një nga traditat e hershme, një punë e shkëlqyer dhe po aq e vështirë, ka qenë ndër shekuj gdhendja e drurit. E përhapur në të gjithë Shqipërinë, prej kohëve të lashta, me specifikat e çdo vendi, gdhendja e drurit ka zënë gjithmonë një vend tepër të rëndësishëm në jetesën e popullit, duke nisur nga objektet e nevojshme, të përdorimit të përditshëm, deri tek objekte e zbukurimit.
Motive gjeometrike, floreale dhe zoomorfe, të gdhendura me mjeshtëri, janë në fokusin e programit mbi trashëgiminë kulturore, traditën dhe artizanatin të Muzeut të Artit Mesjetar. MKAM, në fondet e tij përmban shumë elementë popullorë, të cilat i ekspozon si një shembull i mirë, i pasurisë kombëtare.
Rruga Press