Lajme

Laboratori italian parashikon pasojat e ndryshimeve klimatike

Studiuesit në një laborator të specializuar në Itali thonë se që të kuptojmë efektet e ndryshimeve klimatike, ato duhen riprodhuar në një mjedis të kontrolluar.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, shkencëtarët ndërtuan pikërisht një mjedis të tillë.

Jo shumë kohë më parë punonjësit e emergjencave ngjisnin malin për orë të tëra, madje edhe ditë, për të arritur majën ku do të praktikoheshin në kushtet e motit ekstrem. Sot, ky trajnim mund të zhvillohet në një laborator.

“Në këto mjedise mund të riprodhojmë temperatura -40 deri në -60 gradë Celcius. Mund të simulojmë lartësi deri në 9 mijë metra. Mund t’i kombinojmë me erën, borën dhe shiun. Kemi një departament të tërë, që studion efektet tek njerëzit”, thotë Christian Steurer, drejtor i Qendrës Kërkimore TerraXcube, në laboratorin Eurac.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

Në qendrën e simulimit të klimës ekstreme shkencëtarët studiojnë ndikimin e lartësisë dhe motit ekstrem tek gjaku i pjesëmarrësve dhe kapacitetit të tij për të përcjellë oksigjenin.

Vitin e kaluar, laboratori shërbeu si një inkubator për alpinistët Simone Moro dhe Tamara Lunger.

“U mbajtën në një dhomë për gati një muaj në kushte që simuluan lartësinë shtatë mijë metra. Trajnoheshin brenda, ndërsa monitoroheshin nga shkencëtarët dhe doktorët. Qëllimi është të kuptojmë shkencërisht përshtatjen e njeriut me ndryshimet klimatike”, thotë zoti Steurer.

Shkencëtarët vëzhgojnë gjithashtu se çfarë u ndodh makinerive të rënda që ekspozohen ndaj të njëjtës klimë ekstreme.

“Zhvilluam disa teste për shkrirjen e pajisjeve të mëdha, kabinave ku qëndrojnë njerëzit. Me testimin u munduam të kuptojmë se me sa shpejtësi mund të shkrihet xhami i ngrirë”, thotë Steurer.

Gjatë testimit matet cilësia e xhamit, që është thelbësore për funksionimin e makinerive në temperatura ekstreme.

Laboratori u akreditua në nivel kombëtar për zhvillimin e testeve klimatike jo vetëm me objektet, por edhe me qeniet njerëzore.

Qendra Kërkimore Eurac ka mbi 400 shkencëtarë. Zyrtarët thonë se përpjekjet për të kuptuar efektet e ndryshimeve klimatike mund të jetë puna e tyre më e rëndësishme. /Voa/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *