La Folia, një temë muzikore prej 600 vjetësh
La Folia. Një temë e rrahur gjerësisht për Mesjetën e Perëndimit, në letërsi dhe filozofi. Një adresë psikologjike e përtej normales, një manifest ndryshe i (ç)mendjes që është shndërruar me kohën në shfaqje për kundrim. Në muzikë, La Folia, etiketon një copëz të marrë me madhështi nga kompozitorë të tillë si Vivaldi, apo Arkangjel Corelli, ky i fundit me një nga përpunimet më të mira. La Folia hyn ndër ato motive muzikore ndër më jetëgjatat, që shenjon në planin etik Perëndimin e para Arsyes. Ajo shkon larg në kohë në shekullin e 15-të, te fshatarët portugezë që i dhanë asaj konturet e para.
Shkrimtari Covarrubias shkruan për Codice No 4 të Santiago de Murcia, se La Folia është shumë e mërzitshme…kërcimtarët e saj që “bënin gjeste që zgjonin sensualitetin“. Një lloj ceremonie dioniziake në Mesjetën, që afirmon një psikë të përbashkët njerëzore.
Një shekull pas shpikjes së saj, La Folia u përhap në Spanjë dhe mandej në Mesdhe
shkruan Andrea Valentino.
Një ndër arsyet e përhapjes ishte fakti se shumë prej këngëtarëve dhe muzikantëve në Vatikan ishin spanjollë. Shekulli i 17-të i dha kulmin motivit në fjalë. Bach dhe Handel përdorën temën në fjalë, por pa e cilësuar se bëhej fjalë për një motiv të vjetër.
Mes viteve 1670-1700 copëza që huazonin nga La Folia u printuan nga Zaragoza në Berlin dhe Oxford. Më 1760 ajo arriti në Meksikë dhe Bolivi. Rreth viteve 1710, rreth 20 kompozitorë u përpoqën ta përpunojnë atë, nga Vivaldi te Corelli. Përpjekja e Corellit ishte veçanërisht spektakolare, 11 minuta dhe 23 variacioone të kordës origjinale. Nuk është çudi që nxënësit e violinës duhet të mësonin La Folia të Corellit përpara se të bënin ndonjë gjë tjetër
shkruan Valentino.
Rruga e saj nuk u ndal, në baladat politike suedeze dhe operat anglez për të pësuar një eklips bashkë me barokun. Ajo u rimorr nga Beethoven, Brahms, Liszt dhe Rachmaninoff, ky i fundit duke besuar se Corelli ishte autori. Tema është gati e universalizuar në ndikimin që ushtron në veshët e atyre që e dëgjojnë apo pëlqejnë. Ajo depërtoi në film si kolonë zanore, si ilustrim dinamik i « ngjarjeve ».
Një version i saj u përdor në Familjen Adams. Në filmin 1492, tema kryesore është version i La Folia
vijon Valentino.
Pse ecën një temë muzikore, pse ajo nuk vjetërohet, pse mbetet moderne? Përsëritja e popullarizon muzikën, e bën atë të ngjajë të pakohshme, e megjithatë rimarrja e saj nga kompozitorë të ndryshëm provon se ka diçka gjeniale, diçka gati sublime në këtë motiv që evokon një frikë njerëzore si emër, por që plotëson humanen dhe irracionalen, pasionin e madh të jetës.
La Folia – Marrëzia, Çmenduria, është njerëzore, nuk lidhet me një vend dhe një kohë, ajo është pasqyra e Njeriut, i cili modernitetin e ka kanalizuar edhe si korrigjim të vetes përmes Arsyes, racionales, duke krijuar kështu një android që artificializohet mbi Humanitetin.
Më poshtë Correlli:
Rruga Press