“La Casa de Papel” në mes të Tiranës/ Si u tentua të grabitej banka me tunele të nëndheshme, gjenden brenda tyre
Tunele të nëndheshme për të mbërritur tek banka e ndodhur në bulevardin “Zogu I” në Tiranë. Një plan i ngjashëm me atë të njohur të serialit të netflix La Casa de Papel dhe shumë të ndjekur kudo në botë dhe në Shqipëri, por që është kapur në kohë nga policia.
Raportohet se brenda tunelit janë gjetur prova materiale të cilat janë çuar në laborator për përfitimin e gjurmëve të gishtave apo materialeve biologjike për identifikimin e autorëve.
Sipas burimeve, autorët e tentativës së grabitjes ishin të veshur me jelekët e punës të punonjësve që kryejnë shërbime dhe kjo gjë ka lehtësuar aktivitetin e tyre kriminal në kanalet e ujërave të zeza për të depërtuar më pas përmes tunelit në bankë.
Sipas policisë, informacioni për tunelet është marrë në rrugë operative. Shërbimet e Policisë janë duke kryer hetime të thelluara me qëllim identifikimin, kapjen e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë.
Njoftimi i plotë:
Falë reagimit të Policisë, parandalohet tentativa për vjedhje në një bankë të nivelit të dytë, duke përdorur tunele të nëndheshme.
Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se në bulevardin “Zogu I” po kryheshin gërmime, duke përdorur tunele të nëndheshme, me qëllim depërtimin në ambientet e brendshme të një banke të nivelit të dytë, falë reagimit të menjëhershëm, kanë bërë të mundur parandalimin e vjedhjes në bankë.
Shërbimet e Policisë janë duke kryer hetime të thelluara me qëllim identifikimin, kapjen e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit” kryer në bashkëpunim.
Rruga Press