Kuvendi ratifikon shtatë marrëveshjet ndërkombëtare
Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar shtatë marrëveshje ndërkombëtare në seancën e sotme, ndërsa katër të tjera nuk u votuan, edhe pse ishin në rendin e ditës.
Në seancë ishin të pranishëm 81 deputetë, të cilët votuan për të shtatë marrëveshjet e para.
Ndërkaq, të vetmit që nuk morën pjesë ishin deputetët e PDK-së, të cilët dolën nga salla në fillim të seancës.
Mirëpo, Lista Serbe, edhe pse ishin prezentë, nuk votuan as për prezencë, as për marrëveshjet.
Katër marrëveshjet e mbetura nuk u votuan nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të cilët kërkuan kohë për t’i shqyrtuar më parë.

Gjatë seancës u ratifikua: Marrëveshja për qasje në Arsimin e Lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor.
Poashtu u miratuan edhe: Amendamenti nr.3 i Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2018;
Amendamenti nr. 2 i Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2017;
Marrëveshja e Kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale;
Marrëveshja e Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e Përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për Projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike;
Marrëveshja e Kredisë “Projekti i Rrugës me Shpejtësi të Lartë Prishtinë – Mitrovicë” (Kredi shtesë) ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës;
Marrëveshja e Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë”.
Rruga Press

