Kuvendi i Kosovës dhe ambasada e Norvegjisë nënshkruan memorandum mirëkuptimi
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi në Kuvend me ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl, në lidhje me avancimin e agjendës evropiane të Kosovës.
Memorandumi, të cilin e nënshkroi edhe drejtor ekzekutiv i Grupit Kërkimor të Politikave Ballkanike, Naim Rashiti, mban titullin “Mbështetje Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryetarit të Kuvendit dhe Kabinetit të tij, komiteteve dhe grupeve parlamentare, në forcimin e paqes dhe shtetndërtimit dhe avancimin e agjendës evropiane të Kosovës“.
Pas nënshkrimit, nuk pati deklarata për mediat, ndërsa Kuvendi i Kosovës njoftoi se ky memorandum “i angazhon palët në bashkëpunim dhe njeh nevojën për të përmirësuar agjendën e BE -së dhe reformat në Kosovë, duke rritur kapacitetet legjislative dhe mbikëqyrëse të Kuvendit”.
Palët po ashtu ranë dakord për të hyrë në bashkëpunim i cili do të përfshijë, ndër të tjera, mbështetjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës për punësimin e ekspertëve për të mbështetur kryetarin e Kuvendit, por edhe komitetet dhe grupet parlamentare në dialog, legjislacion, bashkëpunimin rajonal dhe llogaridhënie dhe transparencë të qeverisë dhe institucioneve tjera publike, të cilat i dorëzojnë raport Kuvendit.
Mes tjerash, memorandumi parashikon sigurimin e kapaciteteve zhvillimore në fushën e politikave të sigurisë dhe infrastrukturës kibernetike (softuer dhe harduer).
Rruga Press