Kushtetuta nuk njeh monopolin e Listës Serbe: Rashiq kandidaturë legjitime për nënkryetar të Kuvendit
Shkruan Vigan Qorrolli
KANDIDATURA E NENAD RASHIQIT
I. Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk njeh dhe nuk mund të njohë monopole mbi funksionet e garantuara për përfaqësimin e komuniteteve. Teksti i saj i qartë përcakton se Kuvendi zgjedh dy nënkryetarë nga radhët e pakicave: një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet e tjera joshumicë. Ky rregull nuk është i varur nga vullneti i një partie të vetme, por është obligim i Kuvendit si tërësi dhe detyra e tij është të sigurojë përfaqësim efektiv të tyre, pra të mos tolerojë bllokada procedurale.
II. Dhe neni 67.4 i Kushtetutës është një normë e tillë. Ai thotë se dy nënkryetarë të Kuvendit duhet të përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë: një nga radhët e deputetëve serbë me mandate të rezervuara dhe një nga komunitetet tjera jo-shumicë. Këta zgjidhen me shumicën e të gjithë deputetëve. Ky tekst normativ është i saktë dhe pa ekuivok: kriteri material është përkatësia etnike, kurse kriteri procedural është vota e shumicës parlamentare. Këto dy shtylla mjaftojnë dhe e përmbushin tërësisht kërkesën kushtetuese. Çdo kërkesë tjetër shtesë, si domosdoshmëria e propozimit nga një subjekt i vetëm politik, është një normë e shpikur dhe e paqenë në rendin kushtetues.
III. Rregullorja e Kuvendit, si instrument që operacionalizon normat kushtetuese, poashtu e bën një dallim themelor: të drejtën e propozimit nga ana e shumicës së deputetëve të komunitetit përkatës dhe të drejtën e zgjedhjes nga ana e Kuvendit në tërësi. E para shteron me paraqitjen e kandidaturës; e dyta fillon vetëm në momentin kur deputetët, secili individualisht, e ushtron sovranitetin e tij përmes votës.
IV. Kushtetuta njeh komunitetin/pakicën serbe, jo monopolin e tyre nga partia politike që i ka fituar zgjedhjet tek ta. Për këto arsye, zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar, nëse realizohet me mbështetjen e shumicës parlamentare, është jo vetëm formalisht kushtetuese, por edhe substancialisht e drejtë, sepse ajo mishëron të dy dimensionet që Kushtetuta synon të mbrojë: përfaqësimin e garantuar të komunitetit serb dhe funksionalitetin e shumicës parlamentare. Çdo kundërshtim që bazohet në pretendime partiake është, në të vërtetë, një përpjekje për ta zëvendësuar Kushtetutën me interesin e ngushtë politik.
V. Ka pas lloj-lloj xhevahiri këto ditë, interpretime meskine të laikëve e njerëzve pa sfond akademik në çështje kushtetuese. Përçudje imagjinare! Kështu, një pakicë e vogël “mendimtarësh juridik” thonë se, dy nënkryetarët e Kuvendit nga pakicat duhet të votohen në “bllok”. Kjo gjë nuk gjen mbështetje në tekstin kushtetues. Përkundrazi, ndarja shprehimore në nenin 67.4 tregon se secili komunitet e ka garancinë e vet të veçantë dhe të pavarur. Nëse pranohen “tezat” e tyre, atëherë një komunitet, si në këtë rast ai serb, do ta mbante peng tjetrin dhe i gjithë Kuvendi do të paralizohej nga mungesa e konsensusit mbi njërin kandidat. Ky rezultat do të binte ndesh me parimin e funksionalitetit të institucioneve, i cili është themelor në çdo rend kushtetues demokratik.
VI. Me fjalë të tjera, forca e kësaj norme nuk qëndron tek vullneti i përkohshëm i partive, por tek universaliteti i saj: çdo deputet serb me mandat të rezervuar është legjitim të kandidojë. Mbi të gjitha qëndron kriteri i shumicës së Kuvendit, i cili ose i aprovon ose i refuzon këto kandidatura. Kjo është shprehja më e lartë e sovranitetit. Qëllimi i Kushtetutës së Kosovës, është integrimi i komuniteteve jo-shumicë në institucionet e shtetit, përmes pjesëmarrjes së tyre në organet drejtuese. Ky qëllim përmbushet nëse një deputet serb, pavarësisht përkatësisë partiake, zgjidhet me shumicën e Kuvendit.
VII. Pretendimi, gjithashtu, i një pjese të vogël të komunitetit juridik në Kosovë, në rastin konkret, se vetëm Lista Serbe gëzon të drejtën e propozimit është një konstrukt politik pa asnjë mbështetje në normën juridike. Kushtetuta dhe as Rregullorja e Kuvendit nuk i përmend partitë, nuk i jep asnjë subjekti monopolin e kandidimit dhe nuk e lidh përfaqësimin e garantuar me vullnetin e një grupi të vetëm politik. Kushtetuta flet për deputetë të komunitetit serb, jo për parti politike, e largqoftë, për Listën Serbe si subjekt (sic!). Të interpretohet ndryshe do të thotë të krijohet një rregull i ri jashtë tekstit kushtetues, një rregull që Kushtetuta nuk e ka paraparë dhe që nuk mund të shpiket nga logjika politike.
VIII. Meqenëse Lista Serbe që përfaqëson shumicën e mandateve të komunitetit serb po refuzon të propozojë dhe po e përdor të drejtën e saj për të bllokuar, Kushtetuta nuk mund të pushoj së funksionuari. Ajo ka një rrugë tjetër alternative: kandidatura e një deputeti tjetër të vlefshëm, si në rastin e Nenad Rashiqit, i cili i plotëson të dyja kriteret e sipërcekura (pika II e këtij teksti). Në momentin që ai del përpara Kuvendit dhe merr shumicën e votave, Kushtetuta zbatohet tërësisht dhe nuk shkilet në asnjë mënyrë.
IX. Kuvendi, si bartës i sovranitetit popullor, nuk e ka lirinë ta injorojë këtë detyrim. Zgjedhja e një nënkryetari nga komuniteti serb nuk është çështje e vullnetit politik të një partie, por një obligim kushtetues i vetë institucionit të Kuvendit. Dhe ky obligim zbatohet përmes kandidaturave që kanë kaluar procedurën, qoftë përmes propozimit, qoftë përmes shortit. Vendimi final është gjithmonë në dorën e shumicës së deputetëve, sepse vetëm shumica mund ta legjitimojë funksionin dhe ta kthejë normën në realitet. Ky interpretim është i vetmi që ruan integritetin e normës dhe njëkohësisht siguron funksionalitetin e institucioneve.
Rruga Press

