KryesoreLajme

Kushtetuesja i jep të drejtë Qeverisë për pensionet kontributive – Murati: Rasti i tretë që opozita humb

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konfirmuar përputhshmërinë me Kushtetutën të ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, të miratuar nga Qeveria në vitin 2023. Ky ndryshim kishte shtuar skemën e Pensionit Kontributiv Parcial, që synon të përfshijë personat e larguar dhunshëm nga puna gjatë viteve të 90-ta.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, e ka mirëpritur vendimin duke theksuar se ky është rasti i tretë radhazi kur Gjykata Kushtetuese u jep të drejtë ligjeve të hartuara nga Qeveria, të cilat ishin kontestuar nga opozita.

“Pas Ligjit për Pagën Minimale dhe Ligjit për Tatimin në Pronë, tani edhe Ligji për Pensionet Kontributive është konfirmuar si në përputhje me Kushtetutën. Të gjitha ishin kundërshtuar nga opozita, por të gjitha janë gjetur të rregullta nga Kushtetuesja”, ka deklaruar Murati.

Lexo më shumë  Ndërrimi i pushtetit në veri - Flamujt e fotografia e presidentes në sallat e kuvendeve

Vendimi i Gjykatës pritet të hapë rrugën për zbatimin e mëtejshëm të skemës pensionale për mijëra qytetarë të Kosovës që kanë vuajtur pasojat e largimit të padrejtë nga puna në periudhën e okupimit serb në vitet ’90.

Opozita si instrument i bllokadës sistematike

Ky është rasti i tretë ku opozita e Kosovës dështon në përpjekjet e saj për të bllokuar ligje që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve. Duke e çuar çdo iniciativë qeveritare në Gjykatën Kushtetuese, edhe kur bëhet fjalë për paga minimale, tatime apo pensione, opozita po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një instrument të bllokadës institucionale, sesa në një alternativë të besueshme politike.

Lexo më shumë  Merz: BE të ndajë rrezikun e aseteve ruse

Në vend që të propozojë politika më të mira apo të angazhohet në debat të shëndetshëm parlamentar, opozita ka zgjedhur ta mbajë peng jetën institucionale përmes kontestimeve të pamatura. Ironikisht, vetë Gjykata Kushtetuese po del të jetë filtri që po ndal këtë tendencë destabilizuese, duke riafirmuar qëndrueshmërinë ligjore të reformave të ndërmarra nga Qeveria.

Në një kohë kur vendi ka nevojë për bashkëpunim institucional dhe përqendrim në sfidat reale ekonomike dhe sociale, opozita duket më e interesuar të ndërtojë pengesa sesa politika.

YouTube player