KryesoreOpinion/Aktualitet

Kush thotë se politika gjenocidale dhe klerofashiste nuk ka sukses?

Shkruan Agim Morina

Politikanët klerofashistë serbë shkaktuen katër lufta, si agresorë, që nga vitet ’90 të shekullit të kaluem. Ata edhe sot i qujnë këto lufta mbrojtëse dhe çlirimtare.

Banë dy gjenocide. Por nuk i pranojnë. Dhe kundërshtojnë me zjarm ata që e pohojnë këtë gja. Politikanët ndërkombëtarë, aq të zashëm kur i humb ndonjë pulë ndonjë serbi, heshtin dhe ulin kryet tue kqyrë a i kanë pre thojtë sa duhet thellë.

Klerofashistët serbë e krijuen Republika Srpska-n prej asgjasë, pa kufij, pa institucione, pa ushtri, dhe e banë shtet, me ushtri e me kufij të vet, ma të fuqishëm e ma të pavarun se Kosova, që kishte një histori politike shekullore. Morën 49 për qind të territorit të Bosnjës dhe Hercegovinës, megjithëse përbanin vetëm 30 përqind të popullsisë së përgjithshme, pra, morën 19 për qind ma shum se ç’u takonte.

Sanxhakun, me shumicën shqiptare të asimilueme me dinakëri në myslimano-boshnjakë, e lanë të coptuem e pa asnjë të drejtë territoriale apo kulturore. Edhe sot atyne u mohohet me ngulm çfarëdo të drejte si njësi e veçantë politike. Nuk ka “asociacion komunash sanxhakase”, as “status special” për xhamitë dhe vakëfet.

Vojvodinën, e cila kurrë s’ka qenë serbe, që nga viti 1918 e serbizuen dhe e paqësuen. Me gjithë statusin e vet të veçantë që e ka trashëgu nga Jugosllavia, ajo asht krejtësisht e shpërfillun. Vojvodina ka qenë dikur njësi e veçantë politike e federatës jugosllave, bashkë me Kosovën, ndërsa Republika Srpska nuk ka egzistu fare.

“Lugina e Preshevës” ka mbetë pa kurrfarë statusi politik, edhe mbas luftës çlirimtare të shqiptarëve atje. Nuk lejohet “asociacion komunash shqiptare”, as “status special” për xhamitë dhe vakëfet atje.

Lexo më shumë  Fillon periudha e votimit jashtë Kosovës për votuesit e regjistruar për votim me postë

Lujnë me Republikën e Kosovës qysh të dojnë, para syve të qarqeve ndërkombëtare, tue vu kushte pa fund, për me shqy ndonjë copë territor, mbasi kanë ba gjenocid mbi shqiptarët. Tue u shërby me politikanë matrapazë shqiptarë krijuen komuna gati për çdo familje serbe; kishat, që ishin dhe janë shtylla e makinës propagandistike vrasëse të klerofashizmit serb, i banë me u trajtu si me qenë kopshte bamirësie dhe u dhanë statuse të paimagjinueshme speciale. Krejt kjo me bekimin e plotë të qarqeve të caktueme ndërkombtare me rranjë fundametaliste kristiano-fashiste.

Malin e Zi e mbajnë peng me pakicën serbe aty dhe shkaktojnë trazina kurdo që u teket, me synimin me e shpërba edhe këtë shtet.

Tash dojnë me e nda Republika Srpska-n nga Bosnja dhe Hercegovina për me e bashku me Serbi e me kriju “botën serbe”. Kufini i andrruem serb që del në Detin Adriatik nuk ka qenë kurrë ma afër se sot. Serbët tash janë vetëm 5 kilometra larg nga bregdeti i Adriatikut, aty mbrapa Dubrovnikut.

E shqiptarët? Shqiptarët po presin. Pa asnjë plan afatgjatë, po qesin fall. Pa strategji e pa ndonjë ide se si do t’ia bajnë në një situatë të re; ma të shkapërderdhun se kurrë, kanë themelu nga 40 parti në çdo gjysështeti, aty ku i ka hedhë fati.

Kur të përfundojë edhe kjo zallamahi e re e klerofashizmit serb, që po shfaqet në horizont, serbët prap kanë me dalë edhe ma të bashkuem, edhe shumfish ma të fuqishëm.

Lexo më shumë  Kurti takohet me zyrtarin amerikan, Richard Verma – bisedojnë për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve

Politikanë buzëdhelpna ndërkombëtarë kanë me ardhë e me u thanë shqiptarëve: “Mos bani si serbët. Asht jocivilizuese. Ju nuk jeni si ata. Juve nuk ju takojnë ato të drejta që u takojnë serbëve. Sepse ata janë ata e ju jeni ju. Ata janë specialë. Ju jeni speca. Ata janë të popull i zgjedhun. Ju jeni popull i zgjebosun. Ata janë serbë dhe vetëm serbë. Ju jeni, kosovarë, maqedons, malisorë, cërngagorë, mirditas, luginas, çamë, arbërorë, suliotë, arbëreshë, arvanitas, turkoshakë… Ju jeni bërllog multietnik. Ata janë serbë solidë dhe të kulluet dhe hyjnorë dhe humbës në paqe dhe fitimtarë në lufta.”

E klerofashisëtve serbë kanë me u thanë: “Edhe kësaj here po ua falim luftat, gjenocidet dhe gjakun deri në gju, por mos bani ma se nuk jua falim!”

Shqiptarët, masandej, kur të kthjellen prej kllapie, prap kanë me thurë vjersha për Europën kurvë dhe për djemtë në Amerikë; nëpër recitale kanë me piskatë parulla me sa za që kanë në bodrume fabrikash gjermane, zvicrane e italiane për sakrificat e mëdha; kanë me këndu kangë për trimnitë e pafundme. Dhe kanë me pritë edhe një xhiro të re të historisë mbas njëqind e kush e di sa vjetësh e me pa se çka po u sjell fati. Kush e din. Dita e re, nafaka e re.

Klerofashizmi serb, tue u qesëndisë, ka me i fërku duert me gjakun ende të pathamë të popujve përreth e ka me thanë: “Kush thotë se politika gjenocidale dhe klerofashiste nuk ka sukses?”

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *