KryesoreLajme

Kusari-Lila dhe ambasadori italian diskutojnë për bashkëpunim ekonomik

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka pritur në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, me të cilin ka diskutuar për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve.

Sipas njoftimit nga kjo ministri,  gjatë takimit u theksua se thellimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Italisë mbetet një prioritet kyç për zhvillimin ekonomik të vendit.

 “Ministrja prezantoi punën e ministrisë, duke përfshirë planin katërvjeçar për zhvillimin e parqeve industriale, integrimin e politikave të gjelbra, avancimin e ekonomisë qarkore dhe rritjen e mundësive për investime të përbashkëta.
Po ashtu, palët diskutuan për lehtësimin e procedurave për regjistrimin e bizneseve të huaja në Kosovë përmes platformës së Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), me synim krijimin e kushteve më të favorshme për investitorët e huaj”, thuhet në njoftim.

Lexo më shumë  Historike: Sarah Mullally bëhet gruaja e parë kryepeshkope e Kishës Anglikane

Ministrja Kusari-Lila dhe ambasadori Antonini u dakorduan për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, me fokus në rritjen e investimeve, forcimin e lidhjeve ekonomike dhe krijimin e mundësive të reja për bizneset.

Gjithashtu, bëhet e ditur se u diskutuan edhe aktivitetet e ardhshme në kuadër të forumeve ekonomike, përfshirë forumin që pritet të mbahet në muajin maj në Kosovë, si dhe një forum tjetër pasues në Trieste, Itali.

Lexo më shumë  LVV reagon pas vendimit të Gjykatës: Dekreti ishte antikushtetues - do të angazhohemi për zgjedhjen e presidentit
YouTube player