Kurti: Zëvendësimi i Rusisë me Kosovën në Këshill të Evropës, hapi i duhur
Kryeministri Albin Kurti, në adresim në Këshillin e Atlantikut, ka thënë se hapi i duhur do të ishte që Rusia të zëvendësohej me Kosovën në Këshillin e Evropës.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim gjatë javës së kaluar, ndërkohë Rusia është përjashtuar nga ky institucion më të nisur agresionin në Ukrainë.
Ai ka thënë se Kosova e ka ruajtur durimin ndaj Bashkimit Evropian, pavarësisht se nuk ka marrë liberalizimin e vizave, ndonëse ka përmbushur 95 kritereve.
“Është mirë që Rusia është pezulluar nga anëtarësimi i saj në Këshillin e Evropës. Nuk besoj që do të kishte shembull më të mirë për këtë periudhë që të zëvendësohej Rusia me Kosovën nëse me të vërtet që je në anën e paqes dhe demokracisë kjo është gjëja e duhur që duhet të bëjë. Të përzihet Rusia e të anëtarësohet Kosova. Megjithatë i mbetet vendeve që janë atje të vendosin, shpresoj që të kenë thellësinë e mjaftueshme për të vlerësuar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”, ka thënë Kurti.
Në këtë intervistë, Kurti është deklaruar edhe për sigurinë e Ballkanit pas pushtimit rus të Ukrainës, për çka ka thënë se rajoni do të ishte shumë më i sigurt dhe më paqësor po të kishte sinkronizimin midis Brukselit dhe Washingtonit.
Sipas tij, Ballkani tani është i ndarë në dy pjesë, me shtetet që e dënojnë sulmin rus në Ukrainë dhe me shtetet të cilat vendosin të qëndrojnë neutrale.
“Kjo vjen në një kohë kur Serbia dëshiron të mbajë qendrën e dyfishtë duke pretenduar që është neutrale midis BE-së dhe Federatës Ruse por edhe midis SHBA-së dhe Kinës. Agresioni rus që e ka ndarë Ballkanin në ata që kanë vendosur sanksione dhe kanë dënuar sulmin dhe atyre që pretendojnë të jenë neutral. Nuk mund të jesh neutral midis zjarrfikësit dhe zjarrit. Besoj që Washingtoni dhe Brukseli do t’ia bëjë të qartë Serbisë që nuk mund të ulet në tre apo katër ulëse”, ka thënë ai.
Kurti ka theksuar se Bashkimi Evropian duhet të bëjë një hap të madh për reformim të brendshëm dhe zgjerim të jashtëm.
“Kur Ballkani Perëndimor të integrohet në BE, kufiri i jashtëm i BE-së do të tkurrej për rreth 2000 km që do të ishte e dobishme për sigurinë”, ka shtuar ai.
Sa i përket iniciativës “Ballkani i Hapur”, ai ka thënë se Kosova nuk mund të jetë pro një ideje ku vendet iniciatore nuk janë të hapura ndaj saj.
“Serbia nuk është e hapur për Kosovën. Nuk i njeh dokumentet tona. Nëse duan që Ballkani të jetë i Hapur, duhet të jetë e hapur për Kosovën. Ballkani i Hapur është i hapur për diçka që Serbia është e hapur, por Serbia nuk hapet për Kosovën. Ballkani i Hapur ka lindur në tetor të vitit 2019, kur partia ime ka fituar për herë të parë zgjedhjet dhe kur u bë e qartë se BE-ja nuk do të hapë negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Presidenti serb e ka shfrytëzuar hidhërimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë atë kohë”, ka thënë ai.
Për dialogun Kosovë-Serbi, Kurti ka thënë se pala serbe gjatë dy viteve të fundit ka qenë e angazhuar në projektin e këmbimeve territoriale me siç tha, paraardhësit e tij.
“Besoj që kanë pasur fantazi tejet afatgjate për këmbimin e territoreve, tani e kemi zhvendosur këtë terren ku mbahet ky dialog nga ajo nota transaksionare në transformuese nga dialogu midis Kosovës dhe Serbisë duhet të fitojmë më shumë demokraci, të drejta dhe jetë më të mirë të qytetarëve. Ky këndvështrim patriarkal që ka ndodhur në të kaluarën nuk ndodhë më”, ka thënë ai.
I pyetur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Kurti ka thënë se edhe pala serbe ka qenë e pajtimit që do të mund të adresohej si çështje në Gjykatën Kushtetuese, e cila më vonë rezultoi se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Asociacioni është dakorduan në Bruksel në gusht të vitit 2015 dhe nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Para kësaj edhe pala serbe është pajtuar që do të mund të adresohej si çështje në Gjykatën Kushtetuese. Në frymë është plani i Ahtisaarit që nuk lejon entitete monoetnike. Sipas Kushtetueses, e mbaj mend shumë mirë që asnjë nga 7 kapitujt e marrëveshjes nuk janë në përputhje me Kushtetutën dhe në total 23 nene cenohen. Presidenti i Serbisë e ka sjellë këtë si çështje, asnjë serb i Kosovës nuk ka protestuar ndonjëherë për këtë marrëveshje, vetëm Beogradi e kërkon këtë”, ka përfunduar ai.
Rruga Press