Kurti: Xhudo është suksesi më i madh që kemi ndërtuar dhe treguar si shtet në sport
“Peja lagjja e kampionëve të botës”, kështu e quajti kryeministri Albin Kurti vendin ku u vu edhe gurthemeli për Qendrën Nacionale të Xhudos, e nga ku tha se xhudo është suksesi më i madh që Kosova ka ndërtuar e treguar si shtet në sport.
“Sot këtu në Pejë në lagjen e kampionëve të botës nuk po vendosim vetëm gurthemel por po vazhdojmë suksesin e xhudos së Kosovës përmes fillimit të punimeve për zgjerimin e qendrës nacionale të Xhudos. Xhudo është suksesi më i madh që kemi ndërtuar dhe treguar si shtet në sport”, tha Kurti.
Kurti ka vlerësuar punën e jashtëzakonshme të xhudistëve të cilët Kosovës i sollën medalje të arta olimpike.
“Rezultatet ndërkombëtare të xhudos vendore, janë dëshmi e punës së përditshme dhe përkushtimit të vazhdueshëm. Kjo qendër, ku ndodhemi tani, është përuruar në shtator të vitit 2021. Një pjesë e rrugës drejt medaljeve olimpike në Paris 2024, është shtruar pikërisht këtu. Pjesa tjetër është bërë në kushte më të vështira, por me punë dhe përkushtim, kjo ekip e jashtëzakonshme e xhudos ka sjellë medalje të arta olimpike nga Rio dhe Tokio. Me angazhimin e pandalshëm të Federatës së Xhudos për ta ngritur Kosovën edhe më lart, në kuadër të programit ‘Kosova Shtet i Xhudos’, sot po nisim këtë investim të ri. Ky projekt përfshin: palestër të re të xhudos me standarde ndërkombëtare dhe objekt multifunksional që përfshin akomodim, pishinë, sallë fitnesi, dhe restaurant. Projekti do të krijojë kushtet që xhudoja e Kosovës të vazhdojë punën përpara, të forcojë rolin e saj si qendër stërvitore në Evropë, dhe njëkohësisht të kontribuojë në zgjerimin dhe ngritjen e sportit, turizmit, dhe ekonomisë në vendin tonë. Pikërisht këtu, në hapësirat e palestrës së re të xhudos, do të zhvillohen edhe garat e sporteve luftarake në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030. Qendra ekzistuese, që nga viti 2021, ka pritur vazhdimisht sportistë dhe ekipe nga vende të ndryshme të botës për kampe stërvitore me kampionët tanë. Aktualisht, po stërviten sportistë nga Ukraina”, tha ai.
Rruga Press

