KryesoreLajme

Kurti viziton Ulpianën antike: Përkushtimi ndaj arkeologjisë, i palëkundur

Kryeministri Albin Kurti ka vizituar Ulpianën antike, aty ku vitin e kaluar u zbulua një mbishkrim i veçantë i Perandorit Justinian (527-565) që tregon lidhjen e tij me Dardaninë.

Në një postim në Facebook, Kurti tregoi se ishte për të parë nga afër gërmimet arkeologjike të udhëhequr nga arkeologët Christophe Goddard, nga Universiteti “Ecole Normale Supérieure” në Paris, Arben Hajdari nga Universiteti i Prishtinës dhe Milot Berisha nga Instituti Arkeologjik të Kosovës.

Ai tha se pas zbulimit historik, ekipi ka zgjeruar gërmimet në bazilikën e Justinianit duke shpërfaqur fragmente nga mozaiku i dekoruar me motive gjeometrike të shpendëve, me kupa e shatërvanë.
Këto simbolika, tha Kryeministri, i referohen ritualit të pagëzimit, ku shpirti gjen një jetë të dytë me ujin e pagëzimit, sikurse  zogu që vjen për të pirë ujë nga burimi.

Lexo më shumë  Mid'hat Frashëri: Ç'fituam nga Kongresi i Manastirit?

“Mozaik i punuar nga gurë vendor, që karakterizohet me një arritje të lartë artistike, e ku veçohen më shumë se katër nuanca. Vepra artistike këto të punuara nga njerëz të cilët kanë jetuar në kohën e sundimit të Justinianit. Dëshmi të tilla ndriçojnë të kaluarën e pasur e të lashtë të vendit tonë. E kjo pasuri paraqet njëkohësisht një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim të turizmit, duke e shndërruar Ulpianën në destinacion tejet interesant për vizitorë vendor e të huaj”, tha mes tjerash Kurti.

Për të siguruar kushte për ruajtje e prezantim të lokalitetit, kryeministri tha se është miratuar Plani i Menaxhimit dhe është shpallur thirrja për zbatim të këtij plani, përmes së cilit ai tha se synohet funksionalizimi e interpretimi dinjitoz i këtij thesari të trashëgimisë sonë kulturore.

Ai tha se pjesë e ekipit të arkeologëve, sot ishin edhe shumë studentë të nivelit Bachelor, Master e Doktoratë, ku një numër prej tyre janë mbështetur nga qeveria nëpërmjet bursave të studimit.
“Përkushtimi i Qeverisë ndaj arkeologjisë mbetet i palëkundur, duke e përfshirë atë në prioritetet programore e duke ofruar mbështetje institucionale, profesionale e financiare”, theksoi kryeministri Kurti.

Rruga Press

YouTube player