Kurti viziton familjen pejane qe në Ditën e Çlirimit forcat serbe ia masakruan 5 fëmijë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar familjen Bala të Dardanisë së Pejës, familje së cilës në Ditën e Çlirimit forcat serbe ia masakruan 5 fëmijë.
Ai u shpreh se teksa drita e lirisë po agonte në Kosovë, në errësirën e natës forcat e Serbisë po kryenin masakra.
“Në ditën e çlirimit të Kosovës, në mbrëmjen e 12 qershorit 1999, në Dardani të Pejës u vranë 5 fëmijë. Pjesëtarët e forcave serbe hynë me dhunë në dhomat ku po flinin fëmijët. I mblodhën të gjithë anëtarët e familjes Bala në një dhomë. I vranë motrat Nita dhe Rina (5 dhe 6 vjeçare) bashkë me nënën Vjollcën (28 vjeçare). Vëllai i vogël Rroni (4 vjeçar) ishte fshehur pas nënës së tij Vjollcës”.
“Kur kishin filluar të shtënat ai ishte alivanosur. Pasi ishte zgjuar, kishte shkuar te dhoma e gjyshes Mahije, që ishte e paralizuar. Ishte fshehur nën këmbët e saj. Të atin, Musën (31 vjeç) e kishin rrëmbyer me dhunë. Pesë ditë më vonë, më 17 qershor 1999, ai u gjetë i vrarë, i gjymtuar nga torturat. Më 12 qershor u vranë edhe Agoni (6 vjeçar), Dardanja (11 vjeçare) dhe Hajriu (12 vjeçar). Nëna e tyre, Halisja, u mbijetoi nëntë plumbave në trup. Mbijetoi edhe Isa me të birin Vetonin (8 vjeçar)”, shkroi Kurti.
Kryeministri përmes një postimi në Facebook tha se askush nuk është dënuar, e as gjykuar për këtë masakër.
“Në dhomën e ditës janë ende gjurmët e krimit të asaj nate. Në jetën e familjes Bala janë të përjetshme gjurmët e asaj masakre. Sikurse vrimat e plumbave në muret e shtëpisë, të hapura janë plagët në zemër. Në këtë ditë të shënimit të një çerekshekulli të çlirimit të Kosovës, përkujtojmë të gjithë fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë. Plagët e hapura të familjes Bala dhe të gjitha familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre kërkojnë drejtësi. Këto krime nuk mund të mbeten të pandëshkuara”.
“Nuk mund të harrohen vuajtjet e qëndresa e popullit. Shumë gjak është derdhur e shumë jetë janë dhënë për lirinë që e gëzojmë sot. Falë kësaj sakrifice, brezat tani rriten të lirë. Po rriten me lirinë edhe tre fëmijët e Vetonit. Vajza mbanë emrin e hallës së vrarë, Dardane. I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë martirët e dëshmorët që u flijuan për liri”, shkroi tutje ai.
Rruga Press