KryesoreLajme

Kurti viziton AKI-në: Agjencia po avancon kapacitetet teknologjike dhe operative

Kryeministri Albin Kurti ka vizituar dje Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ku u prit nga drejtori i saj, Petrit Ajeti, si dhe nga stafi drejtues dhe zyrtarë të tjerë të institucionit.

Vizita u zhvillua në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republika e Kosovës dhe 17-vjetorit të themelimit të AKI-së. Me këtë rast u ndanë certifikatat për zyrtarët e rinj të agjencisë dhe u përurua një objekt i ri modern brenda kompleksit të saj.

Kryeministri theksoi rëndësinë e inteligjencës në mbrojtjen e sovranitetit dhe marrjen e vendimeve të informuara, duke nënvizuar se AKI ka përfituar mbështetje të vazhdueshme buxhetore nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe se kjo mbështetje do të vazhdojë.

Lexo më shumë  SHBA grumbullon në Iran forcën më të madhe ushtarake që nga 2003

“Në kuadër të prioriteteve tona për të mbështetur sektorin e sigurisë, AKI ka pasur mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me rritje të lartë të buxhetit dhe kjo mbështetje do të vazhdojë. Më inkurajon fakti që AKI po avancon vazhdimisht kapacitetet e saj teknologjike, analitike dhe operative, me ambicie dhe objektiva të qarta, duke u përshtatur me realitetin e ri të sigurisë dhe duke forcuar bashkëpunimin me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë”, ka shkruar Kurti.

Ai u shpreh i inkurajuar nga avancimi i kapaciteteve teknologjike, analitike dhe operative të agjencisë, si dhe nga bashkëpunimi i saj me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.

Sipas tij, sukseset e AKI-së gjatë viteve të fundit kanë ndikuar dukshëm në forcimin e sigurisë kombëtare dhe rajonale, veçanërisht në trajtimin e kërcënimeve nga spiunazhi, kërcënimet hibride e kibernetike, ekstremizmi, radikalizmi dhe krimi i organizuar.

“Kërcënimet nga spiunazhi, kërcënimet hibride dhe kibernetike, ekstremizmi dhe radikalizmi, krimi i organizuar dhe format tjera të kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare, janë trajtuar me profesionalizëm, duke ndikuar në avancimin e sigurisë kombëtare”, ka shtuar Kurti.

Në fund, Kurti shprehu mirënjohje për stafin e AKI-së, duke vlerësuar profesionalizmin, përkushtimin dhe shërbimin e tyre në mbrojtje të Republikës dhe qytetarëve të saj.

YouTube player