KryesoreLajme

Kurti vizitoi ICK-në, prezantohen të dhënat e hulumtimit për sektorin e teknologjisë dhe ekonomisë digjitale

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Qendrën Inovative të Kosovës, ICK, me rastin e prezantimit të të dhënave të hulumtimit për sektorin e teknologjisë dhe komunikimit dhe ekonomisë digjitale nga Data4X.

Me një rritje prej 386% e eksportit apo gati pesëfishim i eksportit të shërbimeve të TIK-ut në katër vitet e fundit, ekonomia digjitale dhe sektori i teknologjisë, janë sektorët me rritjen më të shpejtë në ekonominë e vendit dhe njëherësh tregues për potencialin për t’u shndërruar në motor kyç të rritjes së mëtutjeshme, u shpreh kryeministri Kurti në fjalën e tij.

“Sektori i TIK-ut, së bashku me shërbimet profesionale dhe mbështetëse, tashmë kontribuon me 6% në Bruto Produktin Vendor të vendit tonë. Për krahasim, bujqësia kontribuon me 7% dhe njëkohësisht rreth 15% të fuqisë punëtore në Kosovë. Por, rëndësia e tij shkon përtej punësimit direkt. Hulumtimet në vazhdimësi tregojnë se punësimi në teknologji ka efekt multiplikues, duke nxitur krijimin e vendeve të reja të punës edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë”, tha kryeministri. Për këtë arsye, ai shtoi se mbështetja e rritjes së mëtejshme të sektorit të TIK-ut mbetet prioritet i qartë i Qeverisë sonë.

Lexo më shumë  Orav: Ligji për të Huajt frymëzim për BE-në dhe dinamika të reja për Kosovë

Kryeministri Kurti, përmendi një sërë investimesh që janë bërë në ekosistemin e inovacionit, siç janë, Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren dhe TechPark Prishtina, pastaj, anëtarësimi i Kosovës në programet Horizon Europe dhe Digital Europe, nisma OctoberTech, përmes së cilës mbështeten ngjarjet më të rëndësishme të sektorit të teknologjisë në Kosovë – KOSICT, Doku.Tech, GrowthTank dhe Software Freedom Kosova, programet e trajnimit nga të cilat kanë përfituar mbi 5,000 të rinj dhe të reja në fusha të ndryshme të TIK-ut, dhe bursat në STEM, Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, nga të cilat 85% të përfituesve janë vajza, ndër të tjerash. Ndërkohë që mbështetja për inovacionin në mandatin tjetër do të shtohet edhe përmes Fondit të Inovacionit, si dhe Kullës TIK (ICT Tower), e cila do të ofrojë hapësira të dedikuara për këtë sektor. 

Ai shtoi se përkushtimi i qeverisë dhe progresi është njohur edhe nga Banka Botërore, e cila në Indeksin për Maturitetin e Teknologjisë Qeveritare (GTMI) e ka renditur Kosovën në Grupin A, përkrah vendeve lidere në qeverisjen digjitale, teksa kujtoi se sot platforma eKosova ofron mbi 320 shërbime elektronike per qytetarë dhe biznese.

Lexo më shumë  Pas kritikave të saj për editorialin me Vuçiqin, Edi Rama i hakmerret Donika Gërvallës

“Të gjithë e mbani mend se para dy vjetëve, kemi kaluar nga Grupi C në Grupin B, ndërsa sivjet kemi kaluar nga Grupi B në Grupin A. Ky vlerësim na obligon që progresin e arritur ta vazhdojmë dhe ta thellojmë edhe më tej, duke u siguruar që digjitalizimi të përkthehet në përfitime konkrete për qytetarët dhe për bizneset. Kemi ende shumë punë përpara nesh, por me krejt çfarë dimë e mundemi, do të ecim sa më shpejt bashkë. Me një shtet të digjitalizuar dhe një sektor të fuqishëm të inovacionit dhe të TIK-ut, së bashku do të vazhdojmë ta ndërtojmë ekonominë e Kosovës, e cila ne besojmë që duhet të jetë e bazuar në dije”, tha në fund kryeministri.

Rruga Press

YouTube player