Kurti vizitoi hapësirat e investimeve të efiçiencës së energjisë elektrike
Pas vizitës së repartit të rinovuar të Hemodializës në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, në oborrin e spitalit, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe menaxhmentin e spitalit, panë nga afër investimet në efiçiencë të energjisë elektrike, që janë bërë në disa prej objekteve të këtij spitali.
Sipas njoftimit nga ekzekutivi, investimet në efiçiencë të energjisë elektrike përfshijnë rinovimin e ngrohjes qendrore, dhe termoizolimet e mureve, dyerve, dritareve dhe kulmeve, si dhe ndriçimin e objekteve, me qëllim sigurimin e mjedisit më të përshtatshëm të punës dhe kursimin e energjisë elektrike.
“Vetëm në Komunën e Prizrenit investimet e këtij lloji arrijnë vlerën e mbi 1.3 milionë euro në shtatë objekte publike, që përfshijnë shkolla, fakultete, objekteve spitalore dhe të administratës. Kurse në Rajonin e Prizrenit në përgjithësi, vlera totale kap shumën prej afër 2 milionë euro të investimeve dhe përfshijnë gjithsej 20 ndërtesa publike”, thuhet në njoftim.
Kryeministri Kurti falënderoi drejtuesit, punonjësit shëndetësorë dhe stafin e Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit për punën e vazhdueshme, bashkëpunimin e mirë dhe mikpritjen e ngrohtë.
Rruga Press