Kurti: Vetëflijimi dhe sakrifica e Jasharajve është Epopeja e UÇK-së në themelet e çlirimit të vendit tonë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në nderim të 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Pas homazheve, para mediave Kurti ka thënë se të gjithë dhe secili duhet ta vizitojë Prekazin heroik e historik që të mos harrohet e kaluara dhe të mos devijohet rruga drejt së ardhmes.
“Në Prekazin heroik dhe historik kthehemi dhe rikthehemi që të kujtojmë dhe përkujtojmë çmimin dhe rrënjët e lirisë të cilën e gëzojmë. Të gjithë dhe secili duhet të vijë në këtë vend që të mos harrojmë dhe të mos devijojmë. Që të mos e harrojmë të kaluarën dhe të mos devijojmë drejt së ardhmes. Vetëflijimi, sakrifica, vetëmohimi i Jasharajve është Epopeja e UÇK-së në themelet e çlirimit të vendit tonë që paraqet edhe dhimbje e krenari, por edhe besë e shpresë për shtetin dhe popullin tonë”, u shpreh Kurti.
Ai ka shprehur falënderim e mirënjohje ndaj familjes Jashari për vetëmohimin e sakrificën.
“Me përkulje respekti dhe me ndjenjë admirimi, gjithnjë dhe përgjithmonë jemi falënderues dhe mirënjohës Jasharajve. Lavdi kryekomandantit Adem Jashari, familjes Jashari, UÇK-së e të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të Kosovës”, shtoi Kurti.
Rruga Press