Uncategorized

Kurti: Vendimi i GJND-së për pavarësinë nuk u përdor mjaftueshëm për eliminimin e ndërhyrjeve të Serbisë në çështjet e brendshme

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës para 14 vjetësh e ka ndryshuar rrjedhën e dëmshme për popullin shqiptar.

Megjithatë sipas tij, ky vendim i GJND-së nuk është përdorur mjaftueshëm për ta përmbysur e eliminuar strategjinë e Serbisë për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të Kosovës përmes kornizës së dikurshme të dialogut të Brukselit. 

“Ndikimi i Mendimit Këshilldhënës të GjND-së ishte dhe vazhdon të jetë i madh. Ajo përbën një fakt konstitutiv, të pakontestuar, të argumentit se qenia dhe vazhdimësia e shtetit të Kosovës ka qenë dhe do jetë e drejtë. Juristë eminentë e referencojnë atë pafundësisht në literaturën moderne kurse studentët e drejtësisë e mësojnë atë si një nga aktgjykimet më përmbajtësore që vendosi bazat e normave që rregullojnë lindjen e shtetit të ri në një kontekst post-gjenocidal e post-kolonial bashkëkohor”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka shtuar se tendencat e Serbisë për të minimizuar peshën e vendimit të GjND-së, përfshirë moszbatimin e parimeve të Kartës së OKB-së në marrëdhëniet e saj me Kosovën që janë pjesë thelbësore e Marrëveshjes Bazike, do mbeten vepra të një shteti që tenton në keqbesim rehabilitimin e dështuar të saj në bashkësinë e kombeve të civilizuara pasi që ushtroi gjenocid në territorin e tre shteteve të sotshme dhe vazhdon në mënyrë institucionale ta mohojë atë.

YouTube player