Kurti-Varhelyit: Zhvillimet e fundit e bëjnë të qartë nevojën për angazhim më të madh me Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Londër, me Komisionerin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Gjatë takimit, siç është njoftuar nga Zyra e Kryeministrit, është biseduar për projekte në fushën e energjisë dhe infrastrukturës, ndërsa Kurti në takim ka thënë se zhvillimet e fundit në Evropën Lindore e kanë bërë të qartë nevojën për angazhim më të madh me Kosovën.
“Para se të diskutonin për projektet në fushën e energjisë dhe infrastrukturës dhe financimin e tyre, kryeministri Kurti tha se zhvillimet e fundit në Evropën Lindore e kanë bërë të qartë nevojën për angazhim më të madh me Kosovën në kuptim të bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërkombëtar dhe integrimit Evropian. Në të njëjtën kohë, ai e dënoi pushtimin dhe agresionin ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës”, thuhet nga Kryeministria.
Për projektet infrastrukturore, Kurti veçoi autostradën Prizren – Tetovë, hekurudhën Prishtinë – Durrës dhe atë për në Leshak. Foli edhe për energjinë.
“Sa i përket projekteve infrastrukturore dhe vlerës së tyre të lidhshmërisë, kryeministri Kurti veçoi autostradën Prizren-Tetovë, hekurudhën Prishtinë-Durrës dhe atë për në Leshak. Ndërkaq në lidhje me energjinë kryeministri Kurti foli për punën në hartimin e Strategjisë për Energji, synimet për tranzicion të drejt energjetik, planet për ngritjen e kapaciteteve prodhuese nëpërmjet burimeve të ripërtëritshme, dhe projektet për rritjen e efiçiencës energjetike. Gjithashtu u fol edhe për reformën në drejtësi dhe procesin e vettingut si dhe për veprimet e fundit të qeverisë në shërbim të krijimit të një sistemi dual të edukimit që lidh tregun e punës me sistemin e arsimit. Komisioneri Varhelyi dha mbështetjen e tij dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar në fusha dhe projekte të përbashkëta”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.
Rruga Press