KryesoreLajme

Kurti u bën thirrje komuniteteve joshumicë të regjistrohen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje komuniteteve joshumicë të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë.

Ai përmes një video të publikuar në Facebook, ka thënë se komunitetet joshumicë janë vlerë e identitet i shtetit. 

Sipas tij, shoqëria e vendit është e pasur sepse komunitetet janë pjesë e saj.

Kurti ka deklaruar se regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave është një ndër ndërmarrjet më të rëndësishme për Kosovën.

“Ai nuk është thjesht një shënim statistikor; është deklaratë e fuqishme e identitetit, të drejtave, dhe vendit të secilit qytetar në shoqërinë tonë. Nuk është thjesht një ushtrim burokratik; është mekanizëm përmes të cilit ne formojmë politika dhe ndajmë burime për të siguruar që çdo qytetar, pa marrë parasysh etninë apo besimin, do të marrë mbështetjen dhe shërbimet që i takojnë. Andaj, mos ngurroni, regjistrohuni”, ka thënë ai duke iu referuar qytetarëve të komuniteteve serb, boshnjak, turk, ashkali, egjiptian, rom, e goran.

Kurti ka theksuar se në bazë të regjistrimit të popullsisë bëhet ndarja dhe shpërndarja e buxhetit të shtetit. Rezultatet e tij, ka shtuar ai, përcaktojnë politikat sociale dhe zhvillimore të shtetit, investimet në komunitetet tuaja, subvencionet në mbështetje tuaj, programet e shërbimet sociale dhe shëndetësore.

Lexo më shumë  NATO riafirmon gatishmërinë 'për të mbrojtur të gjithë aleatët' pas neutralizimit të raketës balistike të lëshuar nga Irani drejt Turqisë

“Vetëm me një regjistrim të plotë e të saktë do të mund ta dimë më së miri se për sa çerdhe e shkolla keni nevojë; se sa hapësira kulturore, rekreative e sportive duhet të planifikohen në shërbim të komuniteteve tuaja; çfarë programe e politika sociale i përgjigjen nevojave tuaja e kështu me radhë. Regjistrimi është dokumentim zyrtar i përbërjes së shoqërisë sonë. Të dhënat e tij pastaj bëhen pasqyrë e politikave tona dhe përgjegjësi e shtetit dhe institucioneve tona. Regjistruesit do të vijnë derë më derë”, ka thënë ai.

YouTube player