Lajme

Kurti thirrje ndërkombëtarëve: Rrisni presionin mbi Serbinë për gjetjen e qytetarëve tonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që ta rrisin presionin mbi Serbinë, e cila sipas tij, është përgjegjëse për zhdukjen e qytetarëve tonë dhe ta zbardhin fatin e tyre.

Në Ditën e të zhdukurve, Kurti ka thënë se drejtësia duhet të vihet duke dënuar përgjegjësit politikë ushtarakë e policorë për këto krime.

“Varret e hapura në Kosovë presin të vërtetën. Pesha e mungesës rëndon mbi familjet e 1617 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Nënat presin ditën kur do të vendosin nga një lule në kujtim të më të dashurve të tyre. Atyre që u rrëmbyen e zhdukën me dhunë nga autoritetet e Serbisë urdhërdhënëse dhe ekzekutore. Pas rënies së Millosheviqit, në Serbi u zbuluan pesë varreza të mëdha masive, me gjithsej 950 njerëz tonë të rrëmbyer e të vrarë, të vrarë e të rrëmbyer, në Batajnicë, Peruqac, Petrovo Selo, Rudnicë e Kizhevak. Serbia ende vazhdon të qëndrojë mbi varre masive teksa i mohon ato. Sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që ta rrisin presionin mbi Serbinë, si përgjegjëse për zhdukjen e qytetarëve tonë, për të zbardhur fatin e tyre dhe për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit politikë ushtarakë e policorë për këto krime”, ka shkruar Kurti në Facebook të mërkurën.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

Shefi i ekzekutivit tutje ka përmendur disa nga punët që kanë bërë për të zbuluar fatin e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovës.

Ka përmendur themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, ndryshimet në legjislacion që autoritetet e Kosovës të ndjekin dhe të dënojnë kryerësit e krimeve të luftës në mungesë e shtimin e buxhetit për 50 pozita për Këshillin Prokurorial dhe atë Gjyqësor të Kosovs.

“Ndërsa në Policinë e Kosovës, nga një sektor, kemi ngritur Drejtorinë e Hetimit të Krimeve të Luftës që do të ketë 41 hetues. Në korrik shënuam hapin përfundimtar për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP). Shteti ynë, Qeveria e Republikës së Kosovës, janë të përkushtuar dhe po angazhohen për të vërtetën, për të gjitha zhdukjet me dhunë që kanë ndodhur në Kosovë. Në Ditën Ndërkombëtare të personave të zhdukur me dhunë, nderojmë të gjithë të zhdukurit me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Nuk do të ndalemi kurrë, derisa të dihet fati i tyre. Të gjithëve na mungojnë”, ka shkruar Kurti.

Lexo më shumë  Bllokohet nisma hungareze për avancimin e integrimit të Serbisë në BE

Më herët, gjatë vizitës te Memoriali i të Pagjeturve, presidentja Vjosa Osmani kërkoi trysni mbi Serbinë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

Sipas UNMIK-ut, 6.065 persona janë zhdukur si pasojë e konfliktit në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999. Aktualisht janë 1.617 raste të hapura të personave të zhdukur, prej të cilëve 1,355 janë meshkuj dhe 262 femra.

Rruga Press

YouTube player