Kurti: Telekomin e nxorëm nga humnera dhe po e udhëheqim drejt zhvillimit
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Telekomi i Kosovës çdo ditë po i modernizon shërbimet e për këtë meritat ia ka lënë Qeverisë që udhëheq.
Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, Kurti shtoi se me mbështetjen që i kanë dhënë kësaj kompanie publike arritën ta nxjerrin nga humnera e ta udhëheqin drejt zhvillimit.
“Zhvillimi i sektorit të komunikimeve elektroteknike po merr hov të ri. Në shkallë regjioni, Kosova ka shtrirjen më të madhe të internetit në amvisëri dhe biznese. Duke e mbështetur me kredi, operatorin publik e nxorëm nga humnera dhe po e udhëheqim drejt zhvillimit. Telekomi i Kosovës në partneritet me gjigantët teknologjikë nga Suedia e Kroacia po i modernizon shërbimet 4G dhe 5G në vendin tonë. Pothuajse çdo ditë mund të shihni njoftimet nga Telekomi për modernizimin e shërbimeve të Valës në të gjitha komunat, përfshirë ato veriore si rezultat i investimeve të cilat po bëhen”, ka thënë ai.
Sipas Kurtit, zhvillimi i Telekomit ka prodhuar efekte pozitive edhe në sektorin privat.
“Operatori privat po e zgjeron rrjetin. Nga kjo konkurrencë përfitojnë qytetarët dhe bizneset”, ka deklaruar shefi i Qeverisë.
Sipas një infografike të publikuar nga “CorrWatch” në korrik, Telekomi është një nga katër kompanitë publike që kanë pasur trend pozitiv gjatë vitit 2023, krahas katër të tjerave që kanë operuar me humbje.
Në mbledhje, Kurti bëri të ditur se janë në proces të blerjes së objekteve të ambasadave në Itali, Turqi e Kanada.
Rruga Press