Kurti takoi ministrin e Estonisë, temë bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ditën dytë të pjesëmarrjes në Forumin e Varshavës për Siguri e filloi me takimin bilateral me ministrin e Mbrojtjes së Estonisë, Hanno Pevkur.
“Republika e Kosovës dhe Estonia kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme dypalëshe, të cilat kryeministri Kurti dhe ministri Pevkur në këtë takim shprehën vullnetin dhe gatishmërinë për t’i zgjeruar edhe më tutje”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Kryeministria njofton se krahas bashkëpunimit në fushën e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike, ku Kosova po përfiton nga përvojat dhe ekspertiza e Estonisë, gjatë bashkëbisedimit sot u diskutua rreth mundësive për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes.
Kryeministri Kurti theksoi se mbështetja e Estonisë është shumë e rëndësishme për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe rolin e saj kontribues në stabilitetin e rajonit.
Sipas njoftimit, kryeministri Kurti falënderoi ministrin Pevkur për mbështetjen e vazhdueshme të Estonisë ndaj Kosovës në rrugëtimin e saj integrues në Bashkimin Evropian.
Rruga Press