Kurti takohet me përfaqësues të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim përfaqësuesit e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), Kathryne Bomberger, Mathew Holiday dhe Luigji Ndou.
Gjatë takimit, Bomberger shprehu përkushtimin e ICPM-së për identifikimin e personave të identifikuar gabimisht, përmes metodës së ADN-së, për vitet 1999-2003, saktësisht kohën kur kjo metodë nuk është përdorur.
U bisedua edhe për çështjen e riatdhesimit të trupave, proces ky të cilin ICMP është ofruar që ta lehtësojë.
Kryeministri Kurti falënderoi Bomberger dhe kolegët e saj për përkushtimin e tyre maksimal ndaj çështjes së personave të zhdukur me dhunë, çështje kjo që për Qeverinë e Kosovës ka rëndësi esenciale e kërkon adresim të menjëhershëm.
Ai theksoi përkushtimin e Qeverisë edhe për rregullimin e çështjes së pensioneve për familjarët e të zhdukurve.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6 mijë e 500 persona. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.
Gërmimet e fundit janë bërë në muajin maj, në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi, ku janë gjetur mbetjet mortore të nëntë shqiptarëve të Kosovës, të vrarë gjatës luftës.

