KryesoreLajme

Kurti takohet me koordinatoren e OKB-së në Kosovë, Arnhild Spence

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot koordinatoren e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence, me të cilën diskutoi mbi bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve qeveritare dhe agjencive të OKB-së.

Kryeministri vlerësoi kontributin e OKB-së në zhvillimin e vendit dhe theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj parimit që askënd mos ta lëmë prapa, duke vendosur drejtësinë sociale në qendër të politikave shtetërore.

Lexo më shumë  PDK synon ta dobësojë Kurtin, LDK kërkon bashkëqeverisje, AAK rrezikon pragun

Në takim u diskutua edhe mbi rëndësinë e drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, duke theksuar domosdoshmërinë e trajtimit të kësaj çështjeje si krim lufte dhe detyrimin për të garantuar mbështetje të vazhdueshme institucionale për të mbijetuarat. Po ashtu, u trajtua çështja e verifikimit të diplomave, ku Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për zgjatjen e mandatit të Komisionit për këtë proces të rëndësishëm, duke siguruar që çdo qytetar të ketë mundësinë e barabartë për të ushtruar të drejtat e tij akademike dhe profesionale.

Diskutuan gjithashtu mbi rëndësinë e digjitalizimit për rritjen e transparencës dhe efikasitetit në administratën publike në çdo cep të vendit, një prioritet i Qeverisë së Kosovës në rrugën e modernizimit të institucioneve shtetërore. Qeveria e Kosovës ka mundësuar mekanizma ligjorë për bashkëpunimin e rregulluar dhe efektiv me agjencitë e OKB-së në vend, duke thelluar partneritetin në fusha me rëndësi strategjike për zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve.

YouTube player