Kurti: Strategjia e Energjisë do të ofrojë siguri të furnizimit për amvisëritë dhe bizneset
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Strategjia e Energjisë 2022-2031 pritet të ofrojë siguri të furnizimi si për amvisëritë dhe për bizneset.
Kurti gjatë prezantimit të kësaj strategjie është shprehur se kjo do të ofrojë zhvillim dhe punësim të qëndrueshëm në vend.
“Gjatë 20-vjetëve të fundit sektori i energjisë në vend nuk ka pasur asnjë vendim në të mirë të qytetarëve bazuar në analiza, studime dhe të dhëna faktike. Në duhet të ofrojmë siguri të furnizimit si për amviseritë dhe për bizneset, në mënyrë që të kemi një zhvillim ekonomik e punësim në vend”, tha Kurti, përcjell Telegrafi.
Sipas tij, kjo strategji do të promovoj bashkëpunimin rajonal.
“Strategjia e Energjisë 2022-2031 është e para në Kosovë është duke u hartuar përmes proceseve demokratike e transparente e për këtë kemi marr përsipër detyrën për identifikimin e planeve të veprimit në mënyrë që plani ynë të niset drejt dhe të divesifikoj miksin e energjisë. Do të ruaj sigurinë e furnizimit dhe do të promovoj bashkëpunimin rajonal, së pari me Shqipërinë e pastaj për vendet tjera. Kjo strategji do të ketë objektiva mjaftë ambicioze, drejt energjisë së pastër dhe drejt dekarbonizimit e do të përfshijë praktikat më të mira nga Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, u shpreh ai.
Në fund, Kurti tha se skemat mbështetëse që parashihen në këtë dokument, do të na ndihmoj të ulim çmimet për zhvillimin e energjisë së pastër në vend.
“Skemat mbështetëse konkurruese janë vetëm një shembull i mjeteve që do të na ndihmoj të ulim çmimet për zhvillimin e energjisë së pastër. Kjo do të siguroj që energjia elektrike do të jetë e qasshme dhe e përballueshme për qytetarët tonë. Do të krijojmë mekanizma mbështetës për familjet me të ardhura të ulta apo të mesme të cilat do të përfshijë programe sikurse përdorimi i paneleve solare”, ka përfunduar Kurti.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se me këtë strategji dhjetë vjeçare do të ketë rol në tranzicionin energjetik për dekarbonizim dhe energji të pastër.
“Kjo strategji do të siguroj tranzicion energjetik për vendin tonë. Rruga që na udhëheq kjo strategji është dekarbonizimi. Po ashtu, ruajmë sigurinë energjetike, përballueshmërinë për konsumatorët, rritjen e energjisë së pastër dhe sigurojmë integrim rajonal të energjisë”, tha Rizvanolli.
Pjesë e hartimit të kësaj strategjie, përveç ekspertëve të fushës do të jenë edhe ata nga shoqëria civile.
Rruga Press