KryesoreLajme

Kurti: S’ka Asociacion, pa e njohur Serbia rendin kushtetues të Kosovës

Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi për zbatimin e saj duhet ta kenë pikënisje tërësinë, e jo vetëm pjesë të saj, ka thënë kryeministri Albin Kurti.

Tek ka folur për obligimet që i përshkruhen Kosovës, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, shefi i ekzekutivit ka thënë për televizionin “Alsat” të Maqedonisë së Veriut se pikënisja duhet të jetë tërësia e Marrëveshjes.

“Nuk është marrëveshja bazike një tryezë suedeze ku mund ta marrësh gjellën tënde të preferuar dhe t’i hedhësh të tjerat. Gjashtë fjali në preambulë, 11 nene në marrëveshje, plus aneksi i zbatimit nga Ohri i marsit të vitit të kaluar me 12 pika, pra duhet ta kemi pikënisje tërësinë, jo ndonjë pjesë duke mohuar tërësinë. Unë e kam diskutuar edhe në Bruksel këtë”, tha Kurti. 

Lexo më shumë  Rrustemi: Opozita minimizoi sulmin terrorist për përfitime politike

Tek i është referuar Asociacionit, kryeministri Kurti ka përmendur një kusht. Ka thënë se themelimi i kësaj trupe nuk mund të bëhet pa e njohur Serbia rendin kushtetues të Kosovës.

“Nuk mund të ofrojë unë kafe pa filxhan. Cili është burimi legal juridik i asociacionit, a është Kushtetuta e Kosovës, apo diçka tjetër. Beogradi thotë nuk e pranoj Kushtetutën e Kosovës. Atëherë pse jemi duke diskutuar. Nuk mund të thuash: Unë kam marrë sa kam marrë, dua të marr edhe më shumë, por ti nuk ekziston. Ata duhet ta pranojnë Kosovën, çkado që kërkojnë për serbët në Kosovë duhet ta kërkojnë përbrenda rendin juridik dhe kushtetutës të Republikës së Kosovës”, shtoi ai. 

E në BE e kanë përsëritur qëndrimin se përparimi në dialog është thelbësor për rrugët respektive evropiane të Kosovës dhe Serbisë. 

Zëdhënësi Peter Stano, tha për KOHËN se palët kanë marrë përsipër zbatimin e Marrëveshjeve dhe theksoi se është duke u punuar në planin e sekuencimit. 

Lexo më shumë  Vitia: Numri i mjekëve që po kthehen në vend është më i madh se i atyre që po dalin jashtë

“Nga të dyja palët pritet t’i zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre e dialogut pa ndonjë vonesë apo parakushte sipas mënyrës hap pas hapi. Diskutimet për finalizimin e planit të sekuencimit janë duke vazhduar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”. 

Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Marrëveshjen Bazë në shkurt të vitit 2023 në Bruksel, e një muaj më vonë në Ohër edhe për Aneksin e zbatimit të saj. Por asnjëra prej pikave të Marrëveshjes nuk ka nisur së implementohet.  

Marrëveshja 11-pikëshe mes tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore dhe që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

YouTube player