Lajme

Kurti: Situata nga vërshimet është nën kontroll, institucionet në gatishmëri të plotë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se situata e krijuar nga vërshimet e fundit në disa komuna të vendit aktualisht është nën kontroll, ndërsa ekipet shtetërore vazhdojnë të qëndrojnë në terren dhe në gatishmëri të plotë.

Sipas Kryeministrit, gjatë gjithë ditës së djeshme, në mbrëmje dhe gjatë natës, ekipet e agjencive të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përfshirë edhe ministrat Xhelal Sveçla dhe Hysen Durmishi, kanë monitoruar nga afër situatën e rënduar nga vërshimet dhe kanë ndërhyrë aty ku ka qenë e nevojshme, duke mbështetur institucionet lokale në evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara.

Lexo më shumë  Përmbytjet shkaktojnë një viktimë, gjendet një trup i pajetë në Durrës

Po ashtu, ministri Elbert Krasniqi ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e komunave më të prekura, ndërsa Forca e Sigurisë së Kosovës ka mbajtur njësitet e saj në gatishmëri, ka bashkëpunuar me shtabet lokale emergjente dhe, në veçanti në Gjakovë, ka ndihmuar në evakuimin dhe strehimin e familjeve të rrezikuara.

Sipas raporteve të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, komunat e prekura nga vërshimet janë: Fushë Kosova, Lipjani, Obiliqi, Drenasi, Podujeva, Shtimja, Graçanica, Prizreni, Suhareka, Malisheva, Rahoveci, Mamushë, Dragash, Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj, Klina, Istogu, Juniku, Deçani dhe Peja.

Kryeministri Kurti theksoi se, përveç dëmeve materiale në infrastrukturë dhe prona private, fatmirësisht nuk ka pasur raste të lëndimeve serioze. Gjatë natës janë kryer ndërhyrje në shumë lokacione për shkak të rrëshqitjeve të dheut dhe gurëve, si dhe për zhbllokimin e pusetave, ndërsa kompanitë përgjegjëse vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie.

Në fund, Kryeministri falënderoi zyrtarët e institucioneve shtetërore, ekipet e zjarrfikjes dhe shpëtimit, si dhe institucionet e sigurisë për reagimin e tyre të shpejtë dhe vetmohues, duke falënderuar gjithashtu qytetarët për solidaritetin dhe bashkëpunimin. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të ndjekin udhëzimet e institucioneve publike deri në tejkalimin e plotë të situatës së krijuar nga vërshimet.

Rruga Press

YouTube player