Kurti: S`i kemi befasuar aleatët me dërgimin e kryetarëve në objektet komunale
Kryeministri i Kosovës, Albn Kurti, ka mohuar që ka befasuar aleatët për dërgimin e kryetarëve të rinj në objektet komunale.
Në adresimin e tij në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet për tensionet në veri, ai ka treguar kronologjinë e ngjarjeve në veri. Kurti ka thënë se në këtë proces ka pasur konsultim dhe bashkërendim me partnerët e Kosovës.
“Kjo kronologji e ngjarjeve është me rëndësi se tregon që institucionet e Kosovës kanë bërë detyrat e tyre. Ne kemi vepruar me obligimet kushtetuese dhe interesat e qytetarëve të Kosovës. Kjo kronologji tregon gjithashtu që ka pasur jo vetëm konsultim, por edhe bashkërendim me partnerët ndërkombëtare. Pra, nuk ka pasur asnjë befasi pasi që ky ka qenë një proces me shumë hallka, e ku hallka e fundit ishte shkuarja e kryetarit me çantë në vendin e tij të punës”, ka thënë Kurti.
Ai ka bërë me dije se dërgimi i kryetarëve të rinj në objektet e komunave me asistencë të policisë ka qenë vendim i organeve të sigurisë dhe jo vendim politik i qeverisë.
Megjithatë ai ka thënë se e ka mbështetur një veprim të tillë.
Ai ka mohuar pretendimet se policia ka hyrë më dhunë në ndërtesat e këtyre komunave.
“Po e them këtë sepse të shumat janë ata që pranin e forcave policore e kanë quajtur si hyrje me forcë në ndërtesë. Nuk ka nevojë ta quajmë hyrje me forcë në ndertës. Sepse ajo ndertës është e Republikës së Kosovës. Nuk hyn policia me forcë në ndërtesën e vet. Nuk hyn kryetari i komunës në ndertës të vet, ajo është zyra e tij”, ka thënë ai.
Rruga Press