Kurti: Shqetësohemi se largimi i barrikadave s’do të kalojë pa fatkeqësi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se largimi i barrikadave në veri të vendit nuk mund të përjashtojë fatkeqësitë.
Kështu ka raportuar gazeta britanike “The Guardian”.
“Shqetësimi ynë [është] se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë fatkeqësitë”, tha ai.
“Kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri relative. Megjithatë, ne nuk mund ta lejojmë përgjithmonë këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Pra, po, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt, aq më mirë”, shtoi Kurti.
Kreu i ekzekutivit theksoi se shqetësimi i partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës janë lidhjet e Beogradit me Moskën.
“BE-SHBA, të gjitha pajtohen që barrikadat duhet të hiqen. Mendoj se shqetësimi i partnerëve dhe miqve tanë perëndimorë janë lidhjet e Beogradit me Moskën. Nuk e dimë se si mund të vihen në funksion në rast të rritjes së tensioneve, drejt përshkallëzimit në veri”.
Kurti potencoi se interesi i Rusisë është përpjekja për nxitje lufte në Ballkan.
“Mendoj se shqetësimi i tyre kryesor është pikërisht ky: tani që Rusia u godit rëndë në Ukrainë pas pushtimit dhe agresionit të saj, ata kanë interes për përhapje. Ata kanë interes të transferojnë përpjekjet e tyre luftënxitëse në Ballkan, ku kanë një klient që është në Beograd”, shtoi ai.
Ndryshe, bllokimi i rrugëve në veri të Kosovës ka hyrë në ditën e 11-të.
Që nga e shtuna e 10 dhjetorit, serbët lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës, që autoritetet në Kosovë thonë se ka organizuar sulmet ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Forcat e Policisë së Kosovës vazhdojnë të jenë të dislokuara në veri.
Për t’u kujdesur për sigurinë e qytetarëve në atë pjesë të Kosovës janë shtuar patrullime edhe nga ana e KFOR-it e EULEX-it.
Të dielën, një grup i protestuesve ekstremistë serbë kanë thyer kordonin e parë të Policisë serb, e cila po i kontrollonte teksa po protestonin afër kufirit me Kosovës, në pikën kufitare në Jarinjë.
Ata u ndaluan nga kordoni i dytë i Policisë, i cili ishte vetëm pak metra larg pikës së kontrollit në Jarinjë.
Në kufi me Serbinë kishin dalë njësitë e KFOR-it, të cilët i kishin shtuar forcat për ta parandaluar një eskalim të mundshëm të gjendjes.
Por, protestuesit anës tjetër të kufirit u dorëzuan dhe u shpërndanë pa ndonjë incident të madh.
Rruga Press