Kurti shpërndan pamjet: Serbia provokon me ushtri afër kufirit me Kosovën
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se të enjten gjatë ditës janë vërejtur njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë disa metra larg kufirit me Kosovën.
Me anë të disa pamjeve të publikuara në faqen zyrtare në Facebook, Kurti ka thënë se këta trupa janë parë në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut.
“Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën”, ka shtuar ai.
Sipas Kurtit, Forcat e Armatosura të Serbisë po realizojnë stërvitje të rregullta, duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën.
“Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”, ka shkruar më tej Kurti.
Para pak ditësh, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, e ka paralajmëruar Perëndimin se nëse e zgjedhin Kosovën para Serbisë, do të presin “momentin më të mirë të mundshëm dhe ta shfrytëzojë rastin”, duke aluduar në pushtim të Kosovës.
Rruga Press