Kurti shkon në Bratislavë të marrë pjesë në konferencën për sigurinë globale, Globsec
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albini Kurti, ka shkuar sot në Bratisllavë për të marrë pjesë në Forumin “GLOBSEC2023”.
Gjatë ditës së djeshme zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu kishte deklaruar se Kurti e ka shtyrë këtë vizitë, për shkak të zhvillimeve në veri.
Megjithatë Qeveria e kishte lënë të hapur pjesëmarrjen e Kurtit në këtë Forum.
Për vizitë zyrtare jashtë vendit sot ka udhëtuar edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Osmani ka udhëtuar për në Kishinau të Republikës së Moldavisë ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Kjo është bërë e ditur në një komunikatë për media të lëshuar nga Zyra e Presidencës.
“Presidentja Osmani do t’u bashkohet 46 krerëve të tjerë të shteteve të kontinentit evropian si dhe krerëve të institucioneve të BE-së, me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë”, thuhet në njoftim.
Rruga Press