KryesoreLajme

Kurti: Serbia po e shkel marrëveshjen, Borrelli e Lajçaku s’po e luajnë rolin e referit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për ngecjet në dialogun për normalizim raportesh, tek ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka strehuar udhëheqësin e grupit terrorist të Banjskës, Milan Radoiçiq. Ai ka fajësuar edhe ndërmjetësit për mosushtrim të rolit të tyre.

Në një intervistë për “politico.eu”, Kurti ka thënë se “qasja e Serbisë nuk është për normalizim raportesh me Kosovën”. Siç shkruan ky portal, deklarata është dhënë një ditë pasi Kurti mori pjesë në drekën e organizuar në Bruksel nga Komisioni Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor. “Si është e mundur t’i thonë po Marrëveshjes së Ohrit, por refuzojnë ta nënshkruajnë?” ka shtuar Kurti.

Lexo më shumë  Mid'hat Frashëri: Ç'fituam nga Kongresi i Manastirit?

Kryeministri ka dhënë detaje edhe nga takimet në dialog me Vuçiqin. Edhe pse ishin në të njëjtin takim javën e shkuar, dy liderët s’kanë biseduar direkt, ka shkruar “politico.eu”. “Kur ai flet, unë s’ndërhyj. Kurdo që flas unë, ai ankohet”, ka thënë Kurti për Vuçiqin.

Kurti ka akuzuar Qeverinë e Serbisë se e shkel në vazhdimësi marrëveshjen dhe se po e strehon kryeterroristin Milan Radoiçiq, që ka marrë përgjegjësinë për sulmin e vitit të shkuar. “Radoiçiqi është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi dhe i financuar nga Serbia”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  Rritja e autoritarizmit të pushtetit në Shqipëri dhe tiktok-u

Në një moment Kurti ka fajësuar edhe diplomatët e Bashkimit Evropian, përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme, Josep Borrell, dhe emisarin për dialog, Miroslav Lajçak.

“Problemi është se zotërinjtë Borrell dhe Lajçak nuk i bien bilbilit kur ka shkelje. Paramendojeni një gjyqtar që sillet në fushën e futbollit pa bilbil”, ka thënë Kurti.

YouTube player