KryesoreLajme

Kurti: Serbia me pozicion ‘edhe-edhe’ ndaj luftës në Ukrainë, dënojmë agresionin rus, por edhe mosdënimin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se për situatën e krijuar në Ukrainë, askush nuk duhet të rrijë indiferent.

Sipas tij sulmi mbi Ukrainën është sulm mbi botën e civilizuar.

”Askush nuk duhet të rrijë indiferent. Sulmi mbi Ukrainën, është sulm mbi botën e civilizuar. Ukrainasit nuk e kërkuan këtë luftë, ata nuk e filluan këtë luftë”.

”Në radhët e gjata të qytetarëve të dëbuar, na rikthehet ankthi i dëbimit masiv të qytetarëve tanë. Ne jemi popull paqedashës i liridashës, prandaj edhe e gjejmë veten edhe në heroizmin e tyre për të luftuar në vendin e tyre”.

”Ne kemi dënuar dhe dënojmë fuqishëm agresionin rus. Protagonisti i kësaj lufte të tmerrshme, beson në ringjalljen e një perandorie të vdekur. Ai nuk përfaqëson ideologji, kauzë, apo lëvizje progresiste. Ai është thjeshtë produkt i një sistemi thellësisht të korruptuar, që ka prodhuar një autokrat të zemëruar për të tashmen, e nostalgjik për të kaluarën. Tepër shumë pushtet, për tepër gjatë kohë, që bie në kurrizin edhe të popullit të vet, por edhe të fqinjëve të shtetit të tij”.

”Ne dënojmë dhe mosdënimin e agresionit rus nga fqinji ynë verior Serbia, dhe mosvënien e sanksioneve”.

Ai u shpreh se Serbia po tenton të luaj me dy pozicione.

”Pozicioni ‘edhe – edhe’, duke tentuar të luaj qendrën e dyfishtë, edhe me Moskën edhe me Brukselin, edhe me Washingtonin edhe me Pekingun, është pozicion edhe me autokracinë edhe me demokracinë. Por, ndaj agresionit të Rusisë e pushtimit të Ukrainës, nuk mund të ketë neutralitet për vende kandidate për anëtarësim në Bashkim Europian, kur të gjithë BE e dënon dhe sanksionon fuqishëm”.

”Qartazi dhe të vendosur, secili duhet ta dënojë invazionin rus dhe agresionin ushtarak. Si kurrë më parë, njerëzimi sot posedon mjete, për ta shkatërruar veteveten. Në rrezik është e gjithë arkitektura e sigurisë që është krijuar pas dy luftërave botërore. Në rrezik është rendi i një bote të qytetëruar”.

”Nëse bota nuk vepron e bashkuar, në rrezik është e ardhmja jonë e e ardhmja e përbashkët e të gjithë nesh. Ledhatimi i autokratëve, nuk i bënë ata demokratë, por i shndërron ata në diktarorë”.

Rruga Press

Lexo më shumë  FSK shënon sot Ditën e Forcës
YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *