Kurti: Rama t’ia propozojë Vuçiqit në “Ballkanin e Hapur” draftin për shqiptarët në Luginë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në vend se të dalë me propozim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, duhet të dalë me propozim për pakicën shqiptare në Serbi. Kurti madje e ka ftuar Ramën që këtë ta bëjë në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur”, ku Kosova refuzon të marrë pjesë.
“S’kam dyshim që kryeministri Edi Rama, beson që propozimi i tij i drafstatutit është i mirë dhe duke qenë kështu atëherë krejt çka unë propozoj është që kryeministri Edi Rama, këtë draftstatut për pakicat kombëtare t’ia prezantojë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më së largu në takimin e radhës për Ballkanin e Hapur për shqiptarët në Luginë. Patjetër që ai beson se është model i duhur, e këtë do të duhej t’ia bënte si propozim presidentit të Serbisë për shqiptarët në Luginë, aq më tepër që neni 8 pika 1 e Kushtetutë së Shqipërisë thotë se mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar kudo”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se ende nuk e ka parë draftin që Edi Rama ua ka dorëzuar liderëve evropianë për çështjen e Asociacionit.
Ai ka thënë po ashtu se në takimin e 18 marsit në Ohër, ka propozuar që vetë ta bëjë draftin e vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë, por ka thënë se atë nuk mund ta bëjë pa pasur pajtim për parimet bazë dhe frymën.
Rruga Press