KryesoreLajme

Kurti: Protesta e `81, goditje tronditëse për Serbinë e Jugosllavinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se brezi i demonstruesve dhe aktivistëve të vitit 1981, ishin shtyllë e grupeve themeltare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me luftën e drejtë në dekadën pasuese, e çliruan Kosovën në qershor të vitit 1999.

Në një postim në ‘Facebook’ kryeministri Kurti  ka shkruar se më 11 mars 1981, studentët e Universitetit të Prishtinës u ngritën në një demonstratë masive, duke protestuar kundër shtypjes dhe diskriminit, mohimit e kufizimit të të drejtave, si dhe kundër shfrytëzimit dhe pabarazive që shteti i Jugosllavisë po ua bënte shqiptarëve në tërë federatën jugosllave, por veçanërisht në Kosovë.

“Demonstrata e asaj të mërkure, e datës 11 mars 1981, u shtyp dhunshëm nga policia jugosllave, por fryma e indinjatës dhe e rebelimit të studentëve u kthye në inspirim për një rezistencë gjithëpopullore. Të tjera demonstrata u organizuan edhe më 26 mars, pastaj më 1 dhe 2 prill, që protestat studentore i kthyen në demonstrata gjithëpopullore. Ato u shtypën me dhunë nga policia, kurse në muajt dhe vitet pasuese, autoritetet jugosllave bënë mijëra arrestime arbitrare, gjyqe dhe burgosje politike, duke e bërë Kosovën vendin me numrin më të madh të të burgosurve politikë për kokë banori në gjithë Evropën”, ka shkruar Kurti.

Lexo më shumë  LVV reagon ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese: Inkoherenca e thellë dhe abus de droit nga Gjykata Kushtetuese

Ai vuri në pah se në demonstratat e vitit 1981, u shfaq parulla “Kosova Republikë”, e cila vazhdoi të shkruhej gjatë tërë asaj dekade, herë e plotë e herë si një akronim me dy shkronja “KR”.

“Shumë organizata politike ilegale fituan forcë nga demonstratat e vitit 1981 dhe nga trashëgimia e tyre, duke e mbajtur të gjallë shpirtin e revoltës popullore dhe të rezistencës për një Kosovë të lirë. Brezi i demonstruesve dhe aktivistëve të vitit 1981, ishin shtyllë e grupeve themeltare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me luftën e drejtë në dekadën pasuese, e çliruan Kosovën në qershor të vitit 1999”, theksoi më tej Kurti.

Lexo më shumë  Media zvicerane: Fasada e Ramës me “Diellën” është shembur

Ai, tutje, vuri në dukje rrugëtimin historik të vendit, nga demonstratat e vitit ’81 e këndej, deri në shpalljen e pavarësisë.

 “Kështu, parulla popullore “Kosova Republikë”, u bë Deklaratë Kushtetuese më 2 korrik 1990 dhe Kushtetutë e Kaçanikut më 7 shtator 1990 drejt realitetit politik të shpallur më 17 shkurt 2008, në formacionin politik e juridik të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur”, tha Kurti, teksa u shpreh se brezat e ardhshëm duhet kujtuar me mirënjohje të thellë dhe me nderime e respekt, studentët dëshmorë, organizatorët, të plagosurit e të burgosurit, si dhe të gjithë pjesëmarrësit e asaj lëvizje që e mbajti aktive rezistencën e popullit të Kosovës drejt aspiratës së tij për liri dhe shtetndërtim.

Rruga Press

YouTube player