Kurti pret që QUINT-i e BE-ja ta dënojnë ashpër djegien e lokaleve të nënkryetares së Zveçanit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për rastin e djegies së lokaleve të nënkryetares së Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq, duke theksuar se ambasadorët e QUINT-it dhe shefi i zyrës së BE-së ta dënojnë ashpër këtë “akt kriminal, terrorist e qyqar”.
Në një postim në rrjetin social, Facebook, kryeministri Kurti ka thënë se pikërisht me 8 Mars, “elemente kriminale në Zveçan zgjodhën e rizgjodhën dhunën, terrorin dhe sulmin, kësaj radhe ndaj pronës private, dyqanit të nënkryetares Tomaniq”.
“Ky duket të jetë “urimi” i tyre për 8 Mars për nënkryetaren Tomaniq dhe për të gjithë serbët që duan integrimin në Kosovë, çlirimin nga struktura kriminale që kërcënojnë dhe pavarësimin nga Beogradi zyrtar që i shantazhin”, ka shkruar kryeministri Kurti në Facebook.
Sipas tij, Dita Ndërkombëtare e Grave shënohet me mirënjohje, përkujdesje, dashuri e angazhim të përbashkët për barazi, e jo me dhunë e terror.
“Përgjigjja ndaj akteve të tilla dhe personave përgjegjës është sundimi i ligjit dhe shteti i së drejtës. Kurse ndaj serbëve të Kosovës që vazhdojnë të përballen me dhunën fizike e psikologjike dhe kërcënimet e vazhdueshme, është mbështetja e inkurajimi për të plotësuar deri në fund vullnetin e tyre”, ka shkruar tutje Kurti.
Rruga Press