Kurti pret deputetin e Bundestagut gjerman: Aplikojmë për statusin e vendit kandidat në BE brenda vitit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti në një takim të premten, deputetin e parlamentit gjerman nga radhët e Partisë Social Demokrate (SPD), Metin Hakverdi.
Gjatë takimit, Kurti bëri me dije se Kosova do të aplikojë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
Hakverdi, i cili është anëtar i Bundestagut gjerman që nga viti 2013, shprehu mbështetjen e Gjermanisë për proceset integruese të Kosovës në BE.
Ndër të tjera, temë diskutimi ishte edhe vizita e kancelarit gjerman, Olaf Scholz pak javë më parë në Prishtinë, nga ku tha se BE-ja duhet të liberalizojë vizat me Kosovën.
Ndërsa, më 12 maj, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dorëzoi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në muajin shkurt, në Kosovë janë shtuar zërat dhe kërkesat për anëtarësim të menjëhershëm të vendit në organizata ndërkombëtare, si masë sigurie për vendin.
Rruga Press