Lajme

Kurti: Politikanët shqiptarë të mos bashkëpunojnë me krimin

Kryeministër i Kosovës, Albin Kurti ka bërë thirrje për bashkëpunim më të ngushtë mes shqiptarëve në fjalimin e mbajtur në aktivitetin për shënimin e “100 vjetorit – Hasan Prishtina Kryeministër i Shqipërisë”, në Shkup.

Përmes një video mesazhi, Kurti ka vlerësuar kontributin e Shkupit dhe të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut në çështjen kombëtare. Kryeministri i Kosovës ka bërë thirrje për ndërmarrjen e projekteve të përbashkëta të shqiptarëve dhe forcimin e lidhjeve mes tyre.

“Mesazhi që dua të jap sot është ai i të qenit pranë njëri-tjetrit, me projekte të përbashkëta, me koordinim dhe me punë. Vetëm kur të lidhemi fort me njëri-tjetrin, do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar”, tha ai.

Sipas Kurtit shqiptarët janë perëndimorë me aleatë SHBA dhe BE. Ai vlerësoi si “detyrë emergjente” luftimin e korrupsionit dhe për t’i hapur rrugën zhvillimit ekonomik.

Kreu i qeverisë së Kosovës tha se “rajoni fiton siguri dhe stabilitet afatgjatë vetëm nga dënimi dhe izolimi i kriminelëve, dhe askush nga politikanët shqiptarë nuk duhet të bashkëpunojë me krimin”.

“Kohë të mira po vijnë për shqiptarët por edhe për fqinjët tanë, sepse partnerët tanë të mëdhenj janë më të vendosur se kurrë për të na ndihmuar në luftën tonë për drejtësi e demokraci, por edhe kundër ndikimeve negative ruso-kineze në qytetet e në shtetet tona, por edhe në rajon. Jam i sigurt se shqiptarët, në të gjitha shtetet ballkanike ku jetojmë e veprojmë, nuk do ta humbim këtë moment të rëndësishëm historik”, deklaroi Kurti.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *