KryesoreLajme

Kurti për regjistrimin e shqiptarëve në Luginë: Jeni shumë më shumë se që ju paraqesin – ndërkombëtarë të vëzhgojnë procesin e përpunimit të të dhënave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se shqiptarët që jetojnë në Serbi e të cilët në vazhdimësi përballen me diskriminim në bazë të kombësisë, e së fundmi edhe me pasivizim të adresave, iu përgjigjën masivisht procesit të regjistrimit.

Kurti përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se përkundër pengesave të shumta shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, janë aktivizuar në maksimum për një muaj rresht, që të regjistrohen të gjithë, e edhe ata që janë me banim të përkohshëm në Kosovë e diasporë.

“Në rrethana normale e në vende me demokraci të zhvilluar e liri të garantuara, ky proces do të trajtohej si proces i natyrshëm, por në të tilla rrethana nuk jetojnë shqiptarët në Serbi. Ata përballen me mosintegrim e me shkelje të të drejtave elementare të njeriut”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri ka kërkuar vëzhgim nga bashkësia ndërkombëtare për procesin e përpunimit të të dhënave.

“Jemi të vetëdijshëm që edhe përpunimi i të dhënave, proces në të cilin shqiptarët nuk do të kenë qasje, është shumë i rëndësishëm. Duke pasur parasysh deklaratat skandaloze të kreut të Serbisë se shifrat e paraqitura, ende pa përfunduar procesi, janë shifra të fryra nga shqiptarët, kërkojmë vëzhgim nga bashkësia ndërkombëtare. Këto deklarata dëshmojnë se pse procesi i regjistrimit të popullsisë e pasurive, për shqiptarët ka rëndësi historike e kombëtare”, ka deklaruar Kurti.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë shqiptarë në Serbi,të dashura motra e vëllezër nga Presheva, Medvegja e Bujanoci,

Nga 1 tetori e deri më sot, kur po përfundon regjistrimi i popullsisë dhe pasurive, shqiptarët që jetojnë në Serbi e të cilët në vazhdimësi përballen me diskriminim në bazë të kombësisë, e së fundmi edhe me pasivizim të adresave, iu përgjigjën masivisht procesit të regjistrimit.

Që në ditën e parë, si Kryeministër i Republikës së Kosovës bëra thirrje që regjistrimin e popullsisë mos ta trajtojmë vetëm si veprim i natyrshëm, por si veprim kombëtar e historik. Sepse shqiptarët në Serbi, e me theks të veçantë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc nuk trajtohen në mënyrë të barabartë me qytetarët e tjerë.

Në rrethana normale e në vende me demokraci të zhvilluar e liri të garantuara, ky proces do të trajtohej si proces i natyrshëm, por në të tilla rrethana nuk jetojnë shqiptarët në Serbi. Ata përballen me mosintegrim e me shkelje të të drejtave elementare të njeriut.

Sot, kur po përfundon një proces me interes të veçantë edhe për Qeverinë e Republikës së Kosovës, informacionet që vijnë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, janë se përkundër pengesave të shfaqura gjatë procesit të regjistrimit, shqiptarët janë aktivizuar në maksimum për një muaj rresht, që të regjistrohen të gjithë, e edhe ata që janë me banim të përkohshëm në Kosovë e diasporë.

U jam mirënjohës sot tërë spektrit politik shqiptar anekënd, shoqatave, organizatave joqeveritare, klerikëve fetarë e në veçanti secilit regjistrues shqiptar për angazhimin e palodhur që për një muaj të regjistrojnë çdo shqiptar.

Po ashtu, falënderoj punëdhënësit në Kosovë, që kanë liruar punëtorët nga puna për ditët që u janë nevojitur për regjistrim. Njëkohësisht u bëj thirrje, që njëjtë të veprojnë edhe pasditen e sotme.

Të nderuar bashkëkombas,

Jemi të vetëdijshëm që edhe përpunimi i të dhënave, proces në të cilin shqiptarët nuk do të kenë qasje, është shumë i rëndësishëm. Duke pasur parasysh deklaratat skandaloze të kreut të Serbisë se shifrat e paraqitura, ende pa përfunduar procesi, janë shifra të fryera nga shqiptarët, kërkojmë vëzhgim nga bashkësia ndërkombëtare.
Këto deklarata dëshmojnë se pse procesi i regjistrimit të popullsisë e pasurive, për shqiptarët ka rëndësi historike e kombëtare.

Të dashura motra e vëllezër nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, pranoni përshëndetjet e përzemërta të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe mirënjohjen time të thellë, për të gjithë shqiptarët atje, që me vendosmëri dëshmuat se jeni aty, e se jeni shumë më shumë se që ju paraqesin.

Rruga Press

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *