KryesoreLajme

Kurti për mërgatën: Kosova ka nevojë për ju si partnerë, jo vetëm mysafirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti mbrëmë në Ballkonin e Hapur dhjetëra bashkatdhetarë të ardhur për pushime, në një ceremoni që tashmë është kthyer në traditë. I shoqëruar nga anëtarë të kabinetit qeveritar, Kurti u uroi mirëseardhje dhe qëndrim të këndshëm pranë familjeve të tyre.

Në fjalën përshëndetëse, ai theksoi se mërgata është e “pafundme në ide dhe e panumërt në veprim”, duke pranuar se edhe pse institucionet ende nuk kanë arritur t’i shfrytëzojnë të gjitha kapacitetet e saj, rezultatet janë të dukshme për këdo që dëshiron t’i shohë.

Lexo më shumë  BE i jep ultimatum Serbisë: Reforma urgjente, ulje tensionesh dhe zbatim i marrëveshjeve me Kosovën

Kurti përmendi suksesin e programit të diplomacisë qytetare, përmes të cilit profesionistë të rinj nga diaspora janë lidhur me Kosovën, përtej familjeve të tyre, duke theksuar se mbi 50% e pjesëmarrësve tani jetojnë dhe kontribuojnë në institucione të vendit.

Ai tha se bashkatdhetarët nuk duhet të vijnë vetëm tek familjarët kur kthehen për pushime, por edhe tek institucionet, pasi mërgata ka qenë gjithmonë “ambasada e Kosovës”, madje edhe kur vendi nuk e kishte pavarësinë.

Kurti theksoi rëndësinë e organizimit të mërgatës, themelimit të shoqatave, dhe ruajtjes së gjuhës shqipe, duke shtuar se ajo është “ura jonë infra-historike dhe transnacionale”, që i lidh shqiptarët kudo që janë, nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Presheva e Çamëria, deri tek arbëreshët.

Lexo më shumë  Kurti takon sekretarin e përgjithshëm të RCC, Amer Kapetanoviq

“Sot, Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për njerëz si ju – jo vetëm si mysafirë për pak ditë, por si partnerë të zhvillimit, si bashkëkrijues të së ardhmes sonë,” tha Kurti, duke përfunduar me urime për shëndet, fat dhe gëzime për të gjithë bashkatdhetarët.

YouTube player