Kurti: Për dy vjet u punësuan 5 mijë gra
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Javën e pronësisë industriale dhe inovacionit, gratë dhe pronësia intelektuale, ka thënë se gratë ua kanë dëshmuar që janë protagoniste, si ndërmarrëse e si punëtore dhe se ato sot janë shumë aktive në botën e digjitalizuar e të inovacionit, por edhe në bujqësi, në shërbime, në gastronomi, rrobaqepësi e prodhim.
Sipas tij për dy vjet në Kosovë janë punësuar 5 mijë gra.
“Për dy vjet, janë punësuar rreth 5 mijë gra dhe është rihapur thirrja për biznese për mbështetje të 50% të pagës për 3 muajt e parë nëse punësojnë gra. E, afër 1500 familje kanë të paktën një anëtar të punësuar, prej tyre 603 gra, nëpërmjet masës ‘Qeveria për familje’”, ka theksuar Kurti
Ai ka thënë se qëllimi i tyre si Qeveri është të mos e lënë askënd në gjendje të pasigurisë financiare. “Vetëm me politikën tonë të re, për shtesat për lehona dhe fëmijë, afër 90 mijë gra për herë të parë kanë hapur llogari bankare”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka folur edhe për marrjen e kredive duke thënë se rastet kur gratë marrin kredi janë më të arsyeshme sesa ato kur burrat kërkojnë kredi.
“Në Kosovë por edhe në shumicën e vendeve të botës kredi marrin më shumë burrat se sa gratë. Ky krahasim është duke lëvizur çdo ditë dhe duhet të shkojë në një qasje më të barabartë. Arsyet pse gratë kërkojnë kredi janë në të shumtën e rasteve më të arsyeshme e më dobiprurëse se sa ato për të cilat kërkojnë burrat kredi”, ka theksuar Kurti.
Ai ka thënë se me masat mbështetëse të Qeverisë, kanë subvencionuar kreditë investuese të mbi 200 bizneseve prodhuese, ku vlera e akreditimit të mundësuar sipas tij, ishte mbi 100 milionë euro.
“Mbështetëm 268 biznese, 40% prej tyre në pronësi të grave, me vlerë 11.2 milionë euro, për shtim të kapaciteteve prodhuese për eksport e me teknologji të avancuar. Nga projekti “Iniciativa për Fuqizim Digjital” përfituan 62 ndërmarrje, prej tyre 35 në pronësi nga gratë, pra ma shumë se gjysma”, është shprehur Kurti.
Në fjalën e tij ai ka pranuar se ka diskriminim dhe se ai duhet eliminuar. “Prandaj, duhet eliminuar diskriminimi dhe pengesat e shumëfishta, të cilat krijohen veçanërisht duke u bazuar në gjini, por nganjëherë edhe në origjinën etnike e shoqërore, në moshën apo edhe në gjendjen socio-ekonomike. Qasjen e tillë e shohim me interes publik. E për këtë, Qeverinë e Kosovës mund ta llogarisni partnere dhe aleate në rrugëtimin zhvillimor”, ka theksuar Kurti.
Rruga Press