Kurti: Pas 16 vjetësh, Kosova më në fund pranohet si shtet stabil demokratik me zhvillim ekonomik të qëndrueshëm
Kosova ka shënuar një tjetër sukses në arenën ndërkombëtare. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) e ka hequr vendin nga lista e Shteteve Fragjile dhe në Situatë Konflikti, një lëvizje kjo që pason vendimin e Bankës Botërore të një jave më parë.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili theksoi se kjo është një vulë ndërkombëtare mbi stabilitetin institucional dhe ekonomik të vendit.
“Ky është lajm i shumëpritur dhe përsëri vulos stabilitetin institucional dhe qëndrueshmërinë ekonomike të vendit, dhe njëkohësisht është mirënjohje për punën e deritanishme të institucioneve tona”, shkroi Murati.
Në vijim të këtij zhvillimi, edhe Kryeministri Albin Kurti ka reaguar, duke e cilësuar vendimin si një normalizim ndërkombëtar të statusit të Kosovës pas 16 vitesh shtetësi.
“Pas 16 vjetëve, Kosova normalizohet ndërkombëtarisht si shtet stabil demokratik me zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, sipas vlerësimit edhe të FMN-së pas atij të BB-së”, shkroi Kurti në rrjetet sociale.
Ky vlerësim pozitiv nga dy prej institucioneve më të rëndësishme financiare në botë pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në perceptimin e investitorëve të huaj, rritjen e besueshmërisë kreditore dhe fuqizimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës.
Ky zhvillim konsiderohet gjithashtu si një kundërpërgjigje konkrete ndaj zërave kritikë brenda vendit, që mohojnë progresin institucional dhe ekonomik të Kosovës.
Rruga Press

