Lajme

Kurti: Nuk mund të ketë normalizim të plotë të raporteve pa njohje reciproke

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se përderisa Kosova e konsideron propozimin evropian si bazë të mirë për diskutime të mëtejme, një marrëveshje eventuale finale me Serbinë, duhet të përfshijë njohjen reciproke.

Gjatë një prononcimi për media në Prishtinë, Kurti deklaroi se edhe zyrtarët evropianë dhe amerikanë e kanë pranuar se njohja duhet të jetë pjesë e marrëveshjes finale.

“Procesi i bisedimeve nuk ka filluar ende, duhet të ketë takim të nivelit të lartë që ftohet nga përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe nga bisedimet mandej shohim se çka e kur. Por, normalizim të plotë të marrëdhënieve pa njohje reciproke në qendër nuk mund të ketë. Pra, në çdo takim që kemi pasur me partnerët tanë evropianë dhe amerikanë, e pranojnë se normalizimi dhe njohja nuk mund të çahen e ndahen prej njëri-tjetrit”, tha Kurti.

Lexo më shumë  Maqedonci jep detaje për procesin e hapjes së fabrikës për prodhimin e municioneve dhe laboratorin për dizejnimin e dronëve

Kosova dhe Serbia vitin e kaluar kanë pranuar një propozim të Bashkimit Evropian, që fillimisht njihej si propozimi franko-gjerman, për normalizimin e raporteve. Të dyja palët e kanë pranuar këtë dokument, i cili nuk është bërë publik.

Kryeministri Kurti u pyet edhe për letrën e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, drejtuar Serbisë, përmes së cilës ai tha se Kosova dhe Serbia duhet “të bëjnë kompromise të vështira”.

“Besoj që SHBA-ja vazhdon të jetë partnerja, mikja dhe aleatja jonë kryesore në shtetëndërtimin demokratik, në zhvillimin ekonomik dhe në normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, që duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke. Natyrisht që do të ketë edhe çështje të tjera në atë marrëveshje, përveç njohjes reciproke, por ajo është në qendër”, tha Kurti.

Lexo më shumë  SPAK ‘zbërtheu’ bandën e Suel Çelës! Arrestohen Xhino dhe Marsel Roka, dy vëllezërit e drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog që nga viti 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Procesi synon normalizimin e plotë të raporteve. Por, palët kanë dallime sa i përket përfundimit të dialogut. Kosova kërkon që në një marrëveshje finale të përfshihet njohja nga Serbia – që zyrtarët në Beograd kanë thënë se është “vijë e kuqe” për ta – ndërkaq, Serbia insiston në një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *