Lajme

Kurti: Nuk ka marrëveshje finale pa njohje reciproke në qendër

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se propozimi i Bashkimit Evropian që njihet si plani franko-gjerman nuk është marrëveshje finale, por është një kornizë apo një marrëveshje bazike, jo përfundimtare. Këto komente kryeministri i Kosovës Albin Kurti i bëri gjatë seancës të Kuvendit të Kosovës, ku në pyetjet parlamentare, deputetët opozitarë kritikuan kryeministrin për mostransparencë lidhur propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo marrëveshje, e cila është e vërtetë se ka paragrafë e fjali të tëra që merren nga modeli i dy Gjermanive, sërish është veçse një marrëveshje bazë, jo marrëveshje ligjërisht e obligueshme, ndërkombëtarisht obliguese çfarë na nevojitet neve”, tha kryeministri.

“Duhet kuptuar se nuk ka pasur mundësi që të vinë nga Brukseli, Berlini e nga Parisi që të na sjellin marrëveshjen finale. Kjo nuk është e mundshme sepse kjo donë shumë proces negociatash të thella e të gjata”, tha ai.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

Emisarët evropianë, emisarët franko-gjerman, shtoi Kurti “nuk na kanë sjell një dokument në stilin ‘merre ose lëre’”. Ndërkaq sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kurti tha se në propozimin frano-gjerman nuk është as parakusht e as në qendër.

“Ajo çka i duhet Kosovës është njohja reciproke dhe marrëveshje finale pa njohje reciproke në qendër nuk do të ketë”, tha Kurti .

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se është i hapur për të diskutuar për të gjitha gjërat që lidhen më propozimin e BE-së.

Ai tha se për këtë ose duhet takim ose raportim në Kuvendin e Kosovës, por me dyer të mbyllura.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti: Qeveria e Kosovës po harton ligj të ri për mbrojtjen nga diskriminimi

“Procesi i dialogut duhet të jetë transparent, por konfidencialiteti i bisedimeve të jetë aty. Nëse unë e thërras një seancë të Kuvendit ku flasim për detajet e përmbajtjes kjo është me shumë rrezik për Kosovën. Nëse e bëjmë me dyert e mbyllura dhe e thërret opozita është më lehtë”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti më 6 shkurt ka thënë se e pranon propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “duke e konsideruar atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *