KryesoreLajme

Kurti: Nuk ka amnisti për asnjë keqbërës, LVV ka edhe komision disiplinor

Kreu në detyrë i qeverisë e kreu i Vetëvendosjes ka ripërsëritur se nuk ka amnisti për askënd që ka manipuluar me votat. Kjo erdhi pas pyetjes që iu bë atij nga gazetarët për procesin e hetimit që po zhvillohet nga organet ndjekëse.

“Ne jemi të hapur për të gjitha hetimet që po zhvillohen. Është e rëndësishme të theksohet që nuk ka amnisti për asnjë keqbërës, për këdo cili ka manipuluar gjatë evidentimit apo numërimit dhe hetimet le të shkojnë deri në fund. Ne jemi aty për të bashkëpunuar me ata të cilët do ta kryejnë hetimin në mënyrë që të zbardhet e vërteta dhe të vendoset drejtësia, sepse vota është e shenjtë”, tha ai.

Kurti kujtoi që në partinë që drejton ka edhe një komision disiplinor që është njëri nga katër komisionet statutore që dalin nga Këshilli i Përgjithshëm i partisë.

Lexo më shumë  Pas Ramës, Netanjahu nderon me dekoratën e lartë Milorad Dodikun

“Ju e dini që në LVV ekziston edhe Komisioni Disiplinor, është një komision statutor, një nga katër komisionet staturore që dalin nga Këshilli i Përgjithshëm, të cilat nuk janë organe të kryesisë po kryetarit, por të organit më të lartë që është Këshilli i Përgjithshëm. Kur t’i kemi të dhënat e plota padyshim që do të shihet nëse ka material edhe për ata, por tash për tash nuk mund të themi. Duket që janë disa komuna në të cilat janë më të përqendruara këto manipulime dhe duhet ta bëjmë ndarjen midis gabimeve të mundshme teknike që në fund të fundit janë njerëzore edhe pse asnjëherë nuk janë të mira, dhe manipulimeve të qëllimshme, apo edhe organizimit të më shumë se një a dy personave për manipulim”, deklaroi Kurti.

Kryeministri në detyrë, ka folur edhe për vizitën që ka pasur në një kompani për prodhim të dronëve, duke thënë se përgjatë katër viteve ka vizituar qindra kompani anë  e mbanë Kosovës, e që tha se nuk mund t’i dijë të gjitha hollësitë të secilës kompani. “Mirëpo natyrisht që unë jam i hapur t’i dëgjoj edhe kritikat kur diçka nuk ka qenë ashtu siç është prezantuar, por duhet ta kemi parasysh që kur vihet te aspektet e hollësishme teknike e profesionale nuk mund ta dijë paraprakisht se cilat janë ato saktësisht për secilën kompani”, deklaroi Kurti.

Këto deklarime dhe pyetjeve të gazetarëve Kurti iu përgjigj pas një vizite që ka pasur në Odën e Mjekëve të Kosovës.

Rruga Press

YouTube player