KryesoreLajme

Kurti në Zvicër: Kosova nuk është thjesht treg, por një partner i vërtetë për investime

Gjatë vizitës së tij në Zvicër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në konferencën prestigjioze “Business Agility Day”.

Duke iu drejtuar përfaqësuesve të mbi 150 kompanive ndërkombëtare, Kurti theksoi arritjet e Kosovës dhe potencialin e saj për të tërhequr investime të huaja. Ai vuri në pah përkushtimin e vendit për transformim digjital dhe inovacion, duke ofruar kështu mundësi për partneritete të reja.

“Është nder për mua të jem këtu, mes mendjeve më transformuese në botën e biznesit dhe teknologjisë. Ndajmë një qëllim të përbashkët: të ndërtojmë organizata të qëndrueshme, adaptueshme dhe inovative, të gatshme për ndryshimet e shpejta që po formësojnë botën moderne. Sot jam këtu për t’ju ftuar të hidhni sytë nga juglindja e kontinentit – drejt Kosovës, një vend i përgatitur për të mbështetur dhe zhvilluar ambiciet tuaja,” tha Kurti.

Lexo më shumë  Bislimi: Do t’i zbatojmë rekomandimet nga Raporti, pavarësisht masave të padrejta ndaj Kosovës

Ai nënvizoi avantazhet e Kosovës, duke përfshirë pozitën e saj strategjike, politikat e favorshme fiskale dhe tatimore, lehtësitë doganore për importet, infrastrukturën digjitale, popullatën e re dhe të edukuar, stabilitetin institucional, progresin ekonomik dhe përparimin demokratik si faktorë që e bëjnë vendin tërheqës për investime.

“Kosova nuk është thjesht një destinacion për investime, por një mundësi për të ndërtuar diçka më të madhe. Është një ekonomi në rritje, me fuqi punëtore të re dhe dinamike, dhe një shoqëri të qëndrueshme dhe përparimtare,” tha Kurti.

Lexo më shumë  Murati: Ekonomia e Kosovës gjatë gjysmës së parë të vitit ka shënuar 4.9% rritje

Ai garantoi përkushtimin e institucioneve kosovare për të ofruar infrastrukturë, fuqi punëtore dhe mbështetje qeveritare për investitorët.

“Në Kosovë nuk do të gjeni vetëm një treg, por një partner që vlerëson inovacionin dhe bashkëpunimin,” përfundoi Kurti fjalën e tij.

YouTube player