KryesoreLajme

Kurti në takimet rajonale të Inteligjencës Financiare: Ka progres në luftimin e krimit të organizuar

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë sot në takimet rajonale të Njësive për Inteligjencë Financiare, të organizuara nga Egmont Group dhe të mbështetura nga GIZ në Kosovë.

Në fjalën e tij para pjesëmarrësve, Kurti shprehu mirënjohjen e institucioneve të Kosovës ndaj organizatorëve për nismat e ndërmarra dhe kontributin në mbajtjen e ngjarjeve të rëndësishme që forcojnë bashkëpunimin rajonal kundër aktiviteteve të paligjshme financiare.

“Organizimi i kësaj ngjarjeje është në përputhje të plotë me programin tonë qeveritar dhe synimet për integrim evropian dhe ndërkombëtar. Synimi ynë është forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe vendor për të koordinuar përgjigjen e të gjithë akterëve në luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Bashkë po punojmë që të rrisim efektivitetin kolektiv në parandalimin, identifikimin dhe luftimin e krimit ekonomik”, u shpreh ai.

Lexo më shumë  Akuzë e rreme për dhunë nga Njësia Speciale në veri – pamjet e kamerave e rrëzojnë propagandën

Ai theksoi se përafrimi i objektivave dhe përpjekjeve të institucioneve vendore me ato ndërkombëtare është thelbësor për identifikimin më të saktë të kërcënimeve dhe dobësive sistematike, si dhe për forcimin e mekanizmave efektivë në adresimin e tyre.

Kurti rikujtoi se raportet ndërkombëtare vazhdojnë të dëshmojnë progresin e Kosovës në fushën e luftimit të korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën nënvizon përparimin në luftën kundër pastrimit të parave, ndërsa Transparency International ka vlerësuar progresin në luftimin e korrupsionit gjatë viteve të fundit. Po ashtu, Indeksi Global i Krimit të Organizuar ka renditur Kosovën në mesin e vendeve me nivelin më të ulët të krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar në edicionin e vitit 2025 e vlerëson Kosovën si shtetin me kriminalitetin më të ulët në rajon.

Lexo më shumë  Raporti i Komisionit Europian: Shqipëria e dyta në Ballkan për borxhin e lartë publik

“Kosova ka bërë progres të konsiderueshëm duke forcuar kornizën ligjore dhe institucionale, me qëllim të përmbushjes së standardeve evropiane dhe ndërkombëtare në luftimin e këtyre dukurive. Kjo qasje forcon bashkëpunimin, kohezionin dhe koordinimin mes institucioneve tona. Njësia për Inteligjencë Financiare e Republikës së Kosovës ka performuar mirë dhe ka shënuar rezultate të kënaqshme në identifikimin dhe gjurmimin e të ardhurave të paligjshme. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar në mbështetjen e NJIF dhe autoriteteve tjera në luftimin e aktiviteteve kriminale”, theksoi Kurti.

Takimet rajonale të NJIF-ve shërbejnë si platformë për shkëmbimin e përvojave, forcimin e bashkëpunimit ndër-shtetëror dhe përmirësimin e mekanizmave të përbashkët për parandalimin e kërcënimeve financiare në rajon.

YouTube player