Kurti në takim me ndërkombëtarët: I gatshëm për takime të radhës në Bruksel
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i njoftoi ambasadorët dhe diplomatët e vendeve të huaja për gjashtë kushtet që lidhen me themelimin e Asociacionit të komunave serbe.
Nga kryeministria thanë të hënën se Kurti ka shprehur gatishmëri për takime të radhës në Bruksel të nivelit të lartë politik dhe të fuqizimit të procesit të dialogut, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me njohje në qendër.
Në takimin me Kurtin e zv.kryeministrin Besnik Bislimi, ishin i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
“Ndër të tjerash, ai tha se Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj për dialog përmes qasjes konstruktive dhe propozimeve kreative. Ai po ashtu shprehu gatishmërinë e tij për takime të radhës në Bruksel të nivelit të lartë politik dhe intensifikim të procesit të dialogut për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatë.
Rruga Press